Palët japin  fjalët  përfundimtare  në  rastin  e  Fejzulla Avdylit, i akuzuar  për  keqpërdorim  të  detyrës  zyrtare

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Palët kanë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e Fejzulla Avdylit , i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare” në seancën e mbajtur të enjten  në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Prokurori Afrim Shefkiu në fjalën përfundimtare deklaroi se pas seancave gjyqësore, administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari me veprimet e tij  ka kryer veprën penale si në aktakuzë. Prokurori Shefkiu  kërkoi nga trupi gjykues që gjatë marrjes së vendimit, të akuzuarin  ta  shpallë fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fejzulla Avdyli, avokati Sabit Maliq në fjalën përfundimtare deklaroi se prokurori nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale, duke kërkuar nga trupi gjykues që të marr aktgjykim lirues.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të shpallet me 23 shtator 2016, në ora 09.00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan,  sipas së cilës Fejzulla Avdyli akuzohet se gjatë periudhës  kohore 2007-2008, na cilësinë e inkasantit në kompaninë “Higjena” ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”. Gjatë asaj periudhe, Avdyli ka keqpërdorur mjete financiare të cilat i kishte arkëtuar nga klientë të ndryshëm të kompanisë, ashtu që një pjesë të parave që i kishte arkëtuar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit e të dobisë pasurore, i kishte ndalur për veti. Me këtë veprim ai kishte dëmtuar kompaninë në fjalë në shumën prej 2.425.16 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë