Palët japin fjalën përfundimtare në rastin e Qazim Izmakut, të akuzuar për përvetësim gjatë detyrës dhe për falsifikim të dokumenteve

Raporton: Gzim SHALA

Vushtrri – Palët kanë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e Qazim Izmakut, të akuzuar për kryerje të veprës penale “përvetësim gjatë detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve” në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Në lidhje me veprën e “falsifikimit të dokumenteve”, nuk u bë as administrimi i provave, për shkak se qysh në fillim prokurori Ismet Ujkani njoftoi se kjo vepër tanimë është parashkruar.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Ujkani i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën penale “përvetësim gjatë detyrës”. Kjo pasi që ai gjatë kohës sa ka qenë duke shërbyer si arkëtar në Bankën e Re të Kosovës (BRK) ka përvetësuar mjetet e dedikuara për pensione, në emër të pensionistëve të tjerë, disa nga ta të vdekur.

Përfaqësuesja ligjore e palës tha se e mbështetë plotësisht fjalën përfundimtare të prokurorit. Ajo kërkoi që Gjykata të vendosë me aktgjykim në lidhje me kërkesën pasurore juridike, e cila përfshin vlerën prej 19.060 euro.

Në fjalën përfundimtare mbrojtja deklaroi se asnjë rrethanë nuk është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale, madje ai tha se në bazë të dispozitave ligjore edhe vepra penale “përvetësim gjatë detyrës” tanimë është parashkruar. Avokati Gani Rexha deklaroi se BRK-ja nuk mund të cilësohet si palë e dëmtuar, pasi parat nuk i janë marrë asaj si person juridik, por të dëmtuarve të cekur në aktakuzë.

Mbrojtja deklaroi se i pandehuri ra rënë pre e stafit të bankës, të cilët duke dashur ta ruajnë imazhin e saj pas këtij skandali, fajin i’a kanë hedhur të pandehurit Izmaku. Përgjegjëse sipas tij është edhe Policia e Kosovës që nuk ka vepruar me kohë që t’i shikojë materialet nga kamerat e sigurisë, ku do të mund të vërtetohej gjithçka. Ai i propozoi Gjykatës  që ta hedhë poshtë aktakuzën, në të kundërtën, ta shpallë të pafajshëm Izmakun në mungesë të provave.

Sipas aktakuzës së vitit 2016 të ngritur nga Prokuroria e Qarkut, i pandehuri gjatë periudhës prej 24 majit 2006 gjerë më 27 qershor 2016 ka tërheqë në vazhdimësi mjete monetare nga llogari joaktive të disa pensionistëve. Ai këtë e ka bërë pas falsifikimi të dokumenteve (vërtetimeve) dhe përdorimit të tyre për këtë qëllim. Sipas aktakuzës, shuma që i pandehuri ka tërhequr në këtë mënyrë ka qenë 19.060 euro.

Vepra e përcaktuar në pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, e cila tashmë është parashkruar, e ngarkonte të pandehurin për falsifikim të vërtetimeve të lajmërimeve të shfrytëzuesve të pensionit themelor dhe pensionit me aftësi të kufizuar. Sipas aktakuzës, i pandehuri i ka falsifikuar këto dokumente dhe të njëjtat i ka përdorur si origjinale, gjoja janë lëshuar nga një zyrtar i Drejtorisë së Administratës së Pensioneve të Kosovës.

Shpallja e aktgjykimit të këtij vendimi do të bëhet të premten më 16 shtator 2016, në orën 14:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë