Palët japin fjalën përfundimtare në rastin e ish-Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Palët kanë dhënë fjalën përfundimtare, në gjykimin e ish-Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas, e akuzuar për veprën penale ‘falsifikim i dokumentit publik’.

Prokurorja Merrushe Llugiqi në fjalën përfundimtare deklaroi se pas mbajtjes së seancave gjyqësore, administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar fakti se e akuzuara me veprimet e saj ka manifestuar të gjitha elementet e veprës penale si në aktakuzë. Tutje prokurorja Llugiqi deklaroi se është vërtetuar fakti se e akuzuara me veturë zyrtare ka shkuar për pushime në Shqipëri dhe policisë atje ia ka prezantuar autorizimin e falsifikuar.

Përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, Flutura Berbati-Zena, deklaroi se autorizimi i prezantuar nga e akuzuara Drita Rexhepi, nuk gjendet askund në arkivin e Agjencionit për Ndihmë Juridike Falas dhe as që është arkivuar fare.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarës Drita Rexhepi, avokatja Albana Kelmendi deklaroi se prokuroria nuk ka dëshmuar se hetimi dhe ndjekja penale është bërë në mënyrë të drejtë, duke i vënë në barrë diçka që është në kundërshtim me normat ligjore.

“Zonja Rexhepi është e lidhur personalisht dhe profesionalisht me Agjencionin për Ndihmë Juridike Falas, ndërsa e konsideron si fëmijë të vetin dhe në asnjë mënyrë nuk do ta lëndonte” deklaroi avokatja Kelmendi.

Avokatja Rexhepi deklaroi se kishte pritur që prokuroria do të hiqte dorë nga akuza. “Meqenëse, prokuroi nuk hoqi dorë, kërkoi nga gjykata që gjatë marrjes së vendimit të akuzuarën ta liroi nga të gjitha akuzat”, tha avokatja Albana Kelmendi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast gjyqësor do të bëhet me 28 shtator 2016, në ora 9.15.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së prokurorisë, e cila pretendon se e akuzuara Drita Rexhepit, Kryeshefe Ekzekutive në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ka falsifikuar një dokument publik. Prokuroria pretendon se e akuzuara ka falsifikuar një autorizim, të cilin e kishte lëshuar në emër të Drejtorit të Administratës Qendrore, Daut Morina. Sipas prokurorisë e akuzuara me qëllim të shfrytëzimit të automjetit zyrtar të tipit “Peugeot 206”, e nënshkruan autorizimin me qëllim të shfrytëzimit për të shkuar në pushime vjetore në Shqipëri, së bashkë me disa anëtarë të familjes, ku edhe pëson aksident komunikacioni.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë