PALËT INJOROJNË GJYKATËN, SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën në Themelore në Pejë, të premten, ishte paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit kryesor, ndaj Arif Demhasajt, Avni Sinanajt dhe Ismi Ibërhysajt të akuzuar për veprën penale shpërdorim i autorizimve në ekonomi, por për shkak të mungesës së të akuzuarve dhe avokatëve mbrojtës seanca është shtyrë.

Në seancën e të premtes ishin prezent prokuroja e shtetit Sahide Gashi dhe anëtarët e trupit gjykues, ndërsa nuk prezentuan fare në seancë të akuzuarit dhe avokatët e tyre mbrojtës Gëzim Kollqaku dhe Gëzim Baloku, përkundër faktit se ishin të njoftuar nga seanca e kaluar për datën e mbajtjes së kësaj seance, ndërsa mosardhjen e tyre nuk e kishin arsyetuar paraprakisht.

Pas pritjes prej 15 minutash, trupi gjykues mori aktvendim për ndërprerje të seancës dhe caktim të seancës së ardhshme për 20 prill 2016, në të cilën të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës do të ftohen në mënyrë të rregullt.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ku sipas pretendimit të saj i akuzuari Arif Demhasaj, si Pylltar në Agjensionin Pyjor të Kosovës, gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm për tjetrin nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke u lejuar operatorëve ekonomik prepjen ilegale të pyjeve, me çka i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme Agjensionit Pyjor të Kosovës në shumën mbi 8.000,00 euro. I akuzuari Avni Sinanaj, si person përgjegjës i operatorit ekonomik, gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm të dobisë pasurore për biznesin e tij, ashtu që me rastin e realizimin e punëve në pastrimin e pyllit, ka prerë ilegalisht drunjë, duke e dëmtuar Agjensionin Pyjor të Kosovës për shumën 1.815,00 euro. I akuzuari Ismi Ibërhysaj, si person përgjegjës i operatorit ekonomik, gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm të dobisë pasurore për biznesin e tij, ashtu që me rastin e realizimin e punëve në pastrimin e pyllit, ka prerë ilegalisht drunjë, duke e dëmtuar Agjensionin Pyjor të Kosovës për shumën 825,00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë