Palët arrijnë marrëveshje gjyqësore për kompensimin e 4 mijë e 150 euro për rregullimin e dhëmbëve të dëmtuar nga aksidenti

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Të premten, në rastin ku paditësja N.H. po kërkon kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale nga Kompania e Sigurimeve “Elsig”  kanë arritur pajtim gjyqësor, pasi i autorizuarit i paditëses, avokati Valon Sadiku dhe përfaqësuesi i të paditurës, avokati Valon Blakaj thanë se janë dakorduar për diçka të tillë.

Fillimisht i autorizuari i paditëses, avokati Valon Sadiku e njoftoi gjykatën se me përfaqësuesin e të paditurës kanë biseduar paraprakisht për mundësinë e arritjes së pajtimit gjyqësor dhe me të njëjtin janë pajtuar që çështjen ta përmbylli me pajtim gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sadiku shtoi se, në emër të kompensimin e shpenzimeve për rregullim të dhëmbëve shumën prej 4150 euro, për ankesë shumën prej 40 euro, për dy seanca  të përfaqësuera shumën nga 135 euro për secilën, dhe për ekspertizë të stomatologjisë shumën prej 150 euro.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Valon Blakaj e konfirmoi se me të autrizuarin e paditëse paraprakisht janë pajtuar që këtë çështje ta mbyllin me marrëveshje gjyqësore në shumat e lartcekura nga i autorizuari i paditëses Sadiku.

Pasi deklaruan se janë dakorduar gjykatës i propozuan për aprovimin e pajtimit gjyqësor, e që më pas Gjyqtarja Elvira Emini përmes aktvendimit e ka aprovuar si të tillë.

Gjykatësja Elvira Emini lidhur me këtë rast tha se, detyrohet e paditura Kompania e Sigurimeve “Elsig” që paditëses N.H në emër të shpenzimeve të shërimit për rregullimin e dhëmbëve të lënduar në aksidentin e komunikacionit të datës 14 janar 2018, në rrugën Prishtinë- Ferizaj, t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 4150 euro.

Tutje, Emini ka thënë po ashtu  për shpenzimet e procedurës në shumën prej 460 euro dhe atë për dy seanca të përfaqësuara nga avokati shumën për secilën nga 135 euro, për ekspertizë stomatologjike shumën prej 150 euro si dhe për taksen gjyqësore dhe ankesën 40.

Të gjitha këto në aftin prej 30 ditësh nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshje gjyqësore.

Ndryshe,  Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan më 14 shtator 2022, kishte marrë aktgjykim përmes së cilit ia kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Shukrije Halimi, N. H. dhe O.H. duke e detyruar Kompaninë e Sigurimeve “Elsig” t’ia kompensoi shumën për aksidentin e komunikacionit të datës 14 janar 2018.

Mirëpo, pas ankesës së bërë nga avokati i paditësve, V.S, më 21 shtator 2020, Gjykata e Apelit më 11 tetor 20201, përmes aktgjykimit ia kishte aprovuar pjesërisht të bazuar ankesën e të akuzuarit të paditësve, Sh., N. dhe O.H., ashtu që, të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të detyrohet e paditura Kompania e Sigurimeve “Elsig” që paditësve të lartcekura t’ua kompensoj dëmin material dhe jomaterial.

Me ç’rast prishet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan në piken II/B të dispozitivit që ka të bëjë më dëmin material në emër të shpenzimeve për shërim, për paditësen N.H. në piken II të dispozitivit lidhur me pjesën e shpënzimeve që kanë të bëjnë vetëm me paditësen Halimi dhe çështja në këto pjesë gjykatës ti  kthehet në rigjykim.

Sipas këtij aktgjykimi, refuzohet e pa bazuar ankesa e të paditurës Kompanisë “Elsig”, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dega në Lipjan i datës 10 korrik 2020 përveç pjesëve të ndryshuara dhe asaj të prishur në këtë aktgjykim vërtetohet.

Sipas padisë së ushtruar më 21 maj 2018, paditësit Sh.H, N.H., O.H. të cilën e përfaqëson përfaqësuesja ligjore N.H. po kërkojnë nga e paditura Kompania  e Sigurimeve “ Elsig” kompensimin e dëmit nga një aksidentit i ndodhur në 2018-ën.

Sipas padisë,  më 14 janar 2018, rreth orës 12:45 në rrugën Prishtinë- Ferizaj, në fshatin Banullë ka ndodhur një aksident i komunikacionit rrugor me ç’rast është shkaktuar dëm jomaterial dhe material, e që pjesëmarrës në këtë aksident ka qenë automjeti i markës “Audi 80′,  dhe automjeti i markës “Opel Meriva”‘.

Në padi thuhet se,  deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur të dy veturat kanë qenë duke lëvizur në rrugën Prishtinë-Ferizaj dhe me të arritur në fshatin Banullë vetura “Audi 80’ nuk e mban distancen në mes të automjeteve dhe me pjesën e përparme të saj e godet veturën “Opel Meriva” në pjesën e pasme të saj ku me këtë  rast shkaktohet edhe aksidenti me dëme jomateriale dhe material.

Tutje, sipas padisë, në këtë aksident paditësit në cilësi të pasagjerëve në automjetin “Audi 80” kanë pësuar lëndime trupore, frikë dhe forma të tjera të dëmit me ç’rast menjëherë pas aksidentit dërgohen në QE të QKUK-në në Prishtinë ku iu bëhen kontrollet e nevojshme mjekësore iu caktohet diagnoza dhe terapia më pas lirohen për në shtëpi dhe udhëzohen që t’i vazhdojnë kontrollet e rregullta mjekësore në mënyrë ambulatore.

Gjithnjë sipas padisë, në cilëson e të autorizuarit të paditësve në procedurë jashtëgjyqësore i janë drejtuar të  paditurës me kërkesë për shpërblim të dëmit jomaterial dhe material ndërsa e paditura pas shqyrtimit të kërkesës e ka pranuar bazën juridike dhe paditësve u ka bërë ofertë për shpërblimin të dëmit mirëpo kjo ofertë është e papranueshme për paditësin pasi që është shume e vogël.

Andaj, mbi bazën e lartcekur paditësit po kërkojnë nga gjykata që përmes aktgjykimit ta detyroj të paditurën kompaninë e Sigurimeve “Elsig” që të njëjtëve t’ua shpërblej dëmin material dhe jomaterialtë shkaktuar nga aksidenti i komunikacionit i ndodhur më datën 14 janar 2018./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë