Pala paditëse thotë se ATK-ja gabimisht vlerësoi gjendjen faktike kur e gjobiti me një mijë euro

Rasti i Tiffany 07.11.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Nëntor 7, 2018

Prishtinë – Pronarja e lokalit “Tiffany” në Brezovicë, tani paditësja Vjosa Zhubi, përmes përfaqësuesit të saj ka kërkuar nga divizioni fiskal që të anulojë vendimin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me të cilin ajo ishte gjobitur me një mijë euro.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, paditësja deklaroi që vendosja e shumës në vlerë prej 4,379 euro si tatim shtesë, e po ashtu edhe gjoba e shqiptuar nga ATK-ja, ishin tërësisht jo ligjore.

Kjo për faktin se sipas saj, ATK-ja nuk e kishte vlerësuar drejtë gjendjen faktike me rastin e kontrollit në këtë biznes.

Paditësja tha se pjesërisht pajtohet me vendimin e ATK-së, pasi që është e vërtetë se me rastin e kontrollit, ky subjekt nuk kishte pasur librat që kërkohen me ligj.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit të paditëses, Isamedin Dedinca, ka një shpjegim pasi që ky biznes kishte qenë i ri në atë kohë dhe në fillim të gjitha subjektet mund të gabojnë, por nuk duhet të jenë për këtë gjë objekt ndëshkimi.

Andaj, i njëjti në fjalën përfundimtare, pas administrimit të provave kërkoi nga gjykata që rastin në fjalë ta kthejë për rivendosje në ATK, duke shtuar se vendimi i tyre ishte i padrejtë.

Ndërsa, gjykatësi Krenar Berisha, tha se vendimi për këtë rast do te merret javët ne vijim.

D.P.T. “Tiffany”, me pronare Vjosa Zhubi, kishte paraqitur padi më 15 korrik 2016, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me pretendimin se e njëjta me vendimin e 31 marsit 2016 nuk kishte vërtetuar si duhet gjendjen faktike.

Sipas padisë, ATK gjatë kontrollit kishte shqiptuar gjobën në vlerë prej 1000 euro dhe po ashtu e kishte ngarkuar me qarkullim shtesë, e që sipas “Tiffany” kjo ngarkesë ishte e pa përballueshme.

Andaj, me këtë pakënaqësi  d.p.h “Tiffany” kishte paraqitur padi duke kërkuar që gjykata të aprovoi kërkesën e tyre dhe që lënda të kthehet në rivendosje.