Pala e paditur e papërgatitur për seancë, shtyhet gjykimi ku po kërkohet nga Komuna e Prishtinës kompensim për ushqim

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Për shkak se përfaqësuesja të paditurës Komuna e Prishtinës- Drejtoria Komunale e Arsmit (DKA), Fitore Byqmeti nuk ishte e përgatitur për seancë, ka dështuar seanca e së martës në rastin ku Fahrije Dodaj ka paditur Komunën e Prishtinës, ku kërkon 988 euro kompensim për ushqim gjatë punës si mësimdhënëse.

Gjykatësi i rastit, Nexhat Qallapeku, ka konstatuar se në shkresat e lëndës nuk është kthyer dërgesa për dorëzim personal, me të cilën gjykata palës së paditur ia ka dërguar aktvendimin për përgjigjjen në padi të 1 dhjetorit 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, përfaqësuesja e të paditurës, Byqmeti, është pyetur nga gjykatësi Qallapeku rreth pranimit të padisë dhe provave të bashkëngjitura si dhe aktvendimit të lartcekur, për këtë ajo ka thënë se nuk ka informata rreth pranimit.

Andaj Byqmeti i ka propozuar gjykatës ta shtyjnë këtë seance për një datë tjetër, pasi që nuk ka qenë e përgatitur.

Një propozim të tillë nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditëses Dodaj, avokati Lutfi Tahiri.

Në këto rrethana, gjykatësi Qallapeku ka aprovuar propozimin e përfaqësueses së të paditurës Dodaj për shtyerjen e kësaj seance, ndërsa ajo e radhës u caktua për 7 mars 2022.

Të pranishëm në seancë ishin përfaqësuesi i paditëses Dodaj, avokati Lutfi Tahiri dhe përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Fitore Byqmeti.

Sipas padisë, paditësja Fahrije Dodaj kërkon kompensimin për ushqim gjatë punës nga Komuna e Prishtinës- Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, nga hyrja në fuqi e kontratës kolektive më 18 prill 2017 deri më 30 janar 2020, kur është nxjerrë vërtetimi mbi ditët e pranisë në punë.

Në padi thuhet se paditësja Dodaj është mësimdhënëse në SHFMU “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, e sipas Kontratës Kolektive në Kosovë thuhet se mësimdhënësit duhet të kompensohen me nga 2 euro në ditë për ushqim gjatë punës.

Mbi këtë bazë, paditësja kërkon nga gjykata që t’i aprovohet kërkesëpadia dhe të detyrohet e paditura Komuna e Pristinës që t’ia paguajë shumën totale prej 988 euro, me kamatë ligjore prej 8%. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë