Paditësja tërheq padinë ndaj MPMS-së për njohje të pensionit, thotë se s’ka më interes për çështjen

Gjykata10
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 3, 2019

Prishtinë – Paditësja N.M, të enjten, ka hequr dorë nga kërkesa për njohje të drejtës në pension për persona me aftësi të veçanta, në rastin ku ajo e ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Edhe pse paditësja kishte qenë për një kohë të gjatë përfituese e pensionit për persona me aftësi të veçanta, sipas padisë, kjo ministri kishte vendosur që në vitin 2015, asaj t’i ndërpritet pensioni pa ndonjë bazë ligjore.

Lidhur me këtë, paditësja kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila më 7 qershor 2017, kishte vendosur në favor të saj, duke e kthyer rastin në MPMS për rivendosje, ku sërish kjo ministri kishte vendosur që t’i refuzonte kërkesën.

Andaj, për të dytën herë ajo kishte ushtruar padi, e cila është shqyrtuar të enjten nga Departamenti për Çështje Administrative.

Por, paditësja në seancë ka deklaruar se pas një kohe, ministria në fjalë ka filluar që përsëri t’i jap të drejtën në pension, duke i deponuar çdo muaj të njëjtës nga 90 euro, e për këtë arsye ajo tha se nuk dëshiron të vij më në gjykatë.

Ajo tha se pas tre muajve do të dal në pension të rregullt dhe se nuk i takon më të marrë dy pensione.

Më pas, gjykatësja Anita Nikçi-Morina ka marrë aktvendim me të cilin e ka konstatuar se për këtë konflikt administrative ka përfunduar procedura.

Ndryshe, N.M kishte paraqitur padi më 10 prill 2018, për të dytën herë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesën për njohje të pensionit për persona me aftësi të kufizuara, pasi që këtë kërkesë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ia kishte refuzuar, siç thuhet në vendim të tyre, për shkak të mungesës së dokumentacionit me të cilin do të vërtetonte se nuk është e aftë paditësja për të punuar. /BetimipërDrejtësi