Paditësja paralajmëron kallëzim penal ndaj dëshmitares, i thotë gjykatësit se do ta propozojë si dëshmitar në atë procedurë penale

Gjykata - vjeshta
Author

Raporton: Valentina SHAHINI–GRAJҪEVCI

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Paditësja Albana Morina-Xharra, në seancën e së enjtes, ka dorëzuar parashtresë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar të fillohen hetime ndaj dëshmitares Mimoza Godanci.

Këtë kërkesë paditësja Morina-Xharra e ka parashtruar gjatë procedurës civile që po zhvillohet kundër të paditurës, bankës “ProCredit”, nga e cila paditësja po kërkon kthimin në punë dhe kompensimit të dyfishit të pagave të papaguara, për shkak të, siç pretendon ajo, diskriminimit në punë.

Lidhur me parashtresën e paditëses, përfaqësuesi i të paditurës, avokati  Kujtim Kërveshi, ka kërkuar nga gjykata që të deklarohet me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, gjykatësi Latif Xhemajli tha se në deklarimin e dëshmitares Godanci nuk shihet ndonjë element me të cilën do të dyshohej se e njëjta ka kryer vepër penale.

Tutje, paditësja Morina-Xharra ka thënë se personalisht do të bëjë kallëzim penal ndaj dëshmitares Godanci, kurse gjykatësi Xhemajli do të jetë dëshmitar në atë procedurë.

Në seancën e së enjtes, paditësja gjithashtu ka kërkuar të merret si provë caktimin e ekspertizës psikiatrike, pasi sipas saj, është e nevojshme për të përcaktuar gjendjen psikiatrike, dëmin shëndetësor dhe emocional që i është shkaktuar si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga e paditura.

Ky propozim, edhe pse u kundërshtua nga avokati Kërveshi si i panevojshëm, u aprovua nga gjykatësi Xhemajli.

Tutje, paditësja gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të merret prova me ekspertizë financiare, për faktin se nga viti 2016 kur është bërë ekspertiza e fundit, kanë kaluar katër vite dhe kanë ndryshuar shumat e përllogaritura.

Edhe ky propozim është kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës, avokati Kujtim Kërveshi, për cka gjykatësi Xhemajli tha se do të vendosë gjatë procedurës së mëtejme.

Paditësja Morina-Xharra ka kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura, banka “ProCredit”, të sjellë statusin e bankës dhe kontratën e punës së Valon Halitit, ku përfshihen dhe detyrat e tij.

Lidhur me këtë, gjykatësi Xhemajli e ka detyruar përfaqësuesin e të paditurës, që brenda afatit prej 15 ditëve, të dorëzoj në gjykatë ekstraktin e statusit të bankës, përgjegjësit e të punësuarve nga e paditura, njoftimin që e paditura iu ka bërë punëtorëve për riorganizimin e vendeve të punës, vendimin e Bordit të Drejtorëve për fillimin e riorganizimit të vendeve të punës, si dhe përshkrimin e detyrave të punës së Valon Halitit.

Avokati Kërveshi ka deklaruar se kërkesat e paditëses që po bëhen në rigjykim nuk gjejnë mbështetje në Ligjin e Procedurës Kontestimore, duke shtuar se kjo është seanca e pestë pas kthimit të lëndës në rigjykim, e që sipas tij, kjo zvarritje e kësaj lënde po vjen pikërisht për shkak të kërkesave në fjalë, e jo për fajin e të paditurës apo gjykatës.

Pas kësaj, avokati Kërveshi i ka dorëzuar gjykatës një marrëveshje të lidhur ndërmjet palëve ndërgjyqëse, ku paditësja ka qenë e obliguar ta ruajë sekretin afarist, e që sipas tij, paditësja e ka shkelur marrëveshjen duke zbuluar informacione afariste, duke pretenduar se edhe informacionet e  klientëve të të paditurës, i ka zbuluar.

Pretendimi në fjalë është kundërshtuar nga paditësja, e cila ka thënë se nga ajo nuk është zbuluar asnjë sekret afarist, përveç atyre që lidhen me rastin konkret.

Pas dëgjimit të propozimeve e kundërshtimeve nga palët ndërgjyqëse, gjykatësi Xhemajli, me vendim e ka aprovuar propozimin e paditëses për marrjen provës me ekspertizë psikiatrike.

Xhemajli, ka thënë se detyra e ekspertit psikiatrik është që pas shqimit të shkresave të lëndës dhe ekzaminimit të drejtpërdrejtë të paditëses, të bëjë raport sa i përket gjendjes psikiatrike, dëmit shëndetësor dhe emocional, i shkaktuar si pasojë e ndërprerjes të marrëdhënies së punës.

Për caktimin e ekspertit, gjykatësi Xhemjali i dha kohë të paditurës që brenda afatit prej tre ditëve ta propozojë dhe ta dorëzojë me shkrim në gjykatë.

Seanca e radhës në këtë rast, pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizë psikiatrike.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 prill 2016, kishte vendosur për këtë duke e aprovuar pjesërisht padinë e paditëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata me këtë vendim ia kishte aprovuar kërkesën paditëses dhe atë duke e detyruar të paditurën që të anulojë vendimin mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, që paditësen ta kthejë në punë dhe që në emër të pagave të papaguara t’ia kompensojë shumën prej 26,775.00euro.

Ndërsa, me këtë vendim gjykata ia kishte refuzuar kërkesën e paditëses që e paditura t’ia paguajë dyfishin e pagave për shkak të diskriminimit në punë.

Kurse, Gjykata e Apelit, sipas ankesës së palës së paditur, me aktvendim, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës si dhe për shkak se arsyetimi i vendimit i shkallës së parë nuk është i mbështetur në prova.

Sipas padisë së ushtruar më 28 mars 2013, paditësja Albana Morina-Xharra po kërkon nga banka ProCredit kthimin e saj në punë dhe kompensimin e dyfishit të pagave të papaguara, si pasojë e diskriminimit.

Siç thuhet në padi, paditësja kishte themeluar marrëdhënie pune me të paditurën më 19 korrik 2010, për kohë ta pacaktuar, në pozitën e menaxheres për marrëdhënie me klientë.

Por siç thuhet në padi, gjatë kohës sa ka qenë e punësuar, të paditurës i ishte krijuar një atmosferë armiqësore në vendin e saj të punës, duke u kërcënuar, shantazhuar, ngacmuar psiqikisht.

Sipas padisë, në kundërshtim me Ligjin e Punës, e paditura ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës paditëses, ku në vendim kishte dhënë sqarime, shpjegime të qarta se pse kishte vepruar në atë mënyrë.

Prandaj, mbi këto pretendime, paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që të njëjtën ta kthej në vendin e  punës dhe t’ia kompensoj dyfishin e pagave të papaguara. /Betimipërdrejtësi