Paditësja kërkon mbi 4 mijë euro kompensim për lëndimet e pësuara nga aksidenti në trafik, e paditura ofron 800 euro

A Gjykata
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja Shaqipe Millaku, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Kosova e re”, kompensimin e dëmit të shkaktuar si pasojë e aksidentit në trafik, në shumë prej 4,336.30 euro.

Këtë shumë ajo pe kërkon me pretendimin se si pasojë e aksidentit në trafik, të shkaktuar në rrugën Kodrën e Trimave në Prishtinë, kishte pësuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit kryesor, përfaqësuesi i paditëses, avokati Afrim Krasniqi, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare, ku ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj të precizuar më 6 nëntor 2019.

Krasniqi tha se nga provat e administruara në këtë gjykatë, është vërtetuar se nuk është kontestuese baza e kërkesëpadisë, si dhe fakti se deri te aksidentit kishte ardhur me fajin e të siguruarit te tani e paditura, kompania e sigurimeve “Kosova e re”.

Gjithashtu ai tha se edhe ekspertiza mjekësore e 4 nëntorit 2019, ka vërtetuar faktin se paditësja si pasojë e këtij aksidenti kishte pasuar lëndime trupore si dhe ka përjetuar frikë.

Mbështetur në këto pretendime, përfaqësuesi i paditëses, avokati Krasniqi, ka kërkuar nga gjykata që padia dhe lartësia e kërkesëpadisë të aprovohen si të bazuara dhe atë me kamatë ligjore prej 8%.

Po ashtu, ai i ka kërkuar dhe shpenzimet e procedurës dhe atë sipas parashtresës të 6 nëntorit 2019, në të cilën parashtresë shuma totale e shpenzimeve të procedurës është 708 euro.

Në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës, Veton Robaj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nuk e kundërshton bazën e kërkesëpadisë, por vetëm lartësinë saj, me pretendimin se shuma e kërkuar me padi është teje e lartë.

Tutje, ai tha  se qëndron pranë ofertës prej 800 euro për kompensimin e të gjitha kategorive të dëmit, të cilën ofertë e kishte dhënë në seancën përgatitore dhe e të cilën ofertë paditësja e kishte refuzuar.

Gjithashtu ai ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë mbi shumën e ofruar, ta refuzoj si të pa bazuar.

Lidhur me shpenzimet e procedurës, Robaj kërkoi nga gjykata që të vendos sipas suksesit në procedurë.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi i rastit Adnan Konushevci tha se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, përfaqësuesi i paditëses, me parashtresën e 6 nëntorit 2019, e kishte precizuar lartësinë e kërkesëpadisë dhe atë nga shuma e kërkuar në padi prej 1,200.00 euro, tani po kërkon shumën prej 4,336.30 euro.

Sipas padis së ushtruar më 8 prill 2016, paditësja Millaku po kërkon nga kompania e sigurimeve “Kosova e re”, kompensimin e dëmit material dhe jo material të shkaktuar si pasojë e aksidentit në trafik.

Në padi thuhet se, më 19 tetor 2015, te Kodra e Trimave në Prishtinë, ishte shkaktuar aksident komunikacioni, ku lëndime të rënda trupore kishte pasuar tani paditësja Millaku.

Siç thuhet në pad, i shkaktari i aksidentit Eol Millaku, në momentin e shkaktimit të aksidentit kishte qenë i siguruar te e paditura.

Bazuar në padi, si pasojë e këtij aksidentit paditësja kishte pësuar lëndime trupore, dhembje fizike, frikë.

Prandaj mbi këto rrethana, paditësja me anë të kësaj padie po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj dëmin material dhe jo material të shkaktuar si pasojë e aksidentit në komunikacion. /Betimipërdrejtësi