Paditësja kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Pejës e kundërshton

FOTO E GJTHP, (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 13, 2020

Pejë – Ish-asistentja e Stomatologjisë, Nazmije Niçki, po kërkon nga Komuna e Pejës, përkatësisht nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, që t’ia kompensojë asaj tri pagat përcjellëse dhe tri pagat jubilare, me rastin e pensionimit.

Lidhur me këtë çështje, të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e paditëses, avokatja Pranvera Zhara ka deklaruar se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke propozuar që të nxirret ekspertiza financiare, për të specifikuar lartësinë e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse.

Ndërsa, përfaqësuesja e të paditurës, Shëndrita Muriqi, ka deklaruar se padia është e pabazuar, duke e kundërshtuar edhe propozimin për ekspertizë financiare.

Ajo  ka theksuar se kërkesa e paditëses për kompensimin e pagave jubilare i është parashkruar.

“Në rastin konkret paditësja ka pasur 44 vite përvojë pune, dhe është pensionuar në vitin 2017, për çka rrjedhimisht jubilarin e tretë të kërkuar sipas padisë e ka arritur në vitin 2003, kur edhe ka mbushur 30 vjet përvojë pune, që nënkupton se një kërkesë e tillë është e parashkruar”, ka thënë ajo.

Më pas, gjyqtari i çështjes, Armend Berisha, me aktvendim e aprovoi propozimin e avokates Zhara për nxjerrjes e ekspertizës financiare.

Ai konstatoi që eksperti financiar dhe detyrat e tij do të caktohen përmes aktvendimit të veçantë, ndërsa për seancën e radhës palët do të ftohen me në mënyrë të rregullt.

Sipas padisë së ushtruar më 29 nëntor 2019, paditësja Nazmije Nikçi, ka kërkuar nga Komuna e Pejës, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, që t’ia paguajë shumën prej njëmijë euro në emër të tri pagave përcjellëse dhe shpërblimit jubilar me rastin e pensionimit.

Në padi thuhet që paditësja ka qenë e punësuar tek e paditësja nga viti 1973, dhe me 28 prill 2017, i është ndërprerë marrëdhënia e punës, pasi që ajo e ka arritur moshën e pensionimit.

Siç thuhet në padi, pasi që kompensimin në fjalë paditësja nuk ka arritur ta realizojë me marrëveshje jashtë gjyqësore, ajo i është drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë, përmes kësaj padie. /Betimipërdrejtësi