Paditësja kërkon anulimin e vendimit të KPMSHC-së, e paditura e kundërshton

(5 ) (2) (3)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Tetor 8, 2020

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamenti për Çështje Administrative, të enjten, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ku paditësja Miradije Gashi – Sheremeti po kërkon anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e të ardhurave personale.

KPMSHCK, me vendim kishte refuzuar ankesën e paditëses Miradije Gashi-Sheremeti, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe vendimin e Komisionit Disiplinor të kësaj agjencie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kolegji për shqyrtimin e ankesave kishte konstatuar se ankesa e paditëses është e pabazuar dhe se me rastin e nxjerrjes së vendimit, kolegji ka vepruar në pajtim me ligjin.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se, ndaj ankueses Gashi Sheremeti ishte iniciuar procedurë disiplinore në Komisionin Disiplinor për mungesë nga puna, i cili Komision, më 30 maj 2014 kishte nxjerrë vendim me të cilin ankueses i kishte shqiptuar masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës pa dëmtuar apo reduktuar të drejtën në pension”.

E pakënaqur me këtë vendim, ankuesja Gashi Sheremeti kishte parashkruar ankesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Siç thuhet në arsyetim, edhe ky komision kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e ankueses si të pabazuar.

E pakënaqur edhe me këtë vendim, ankuesja Gashi Sheremeti kishte ushtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili po ashtu kishte refuzuar ankesën e paditëses, ku më pas, paditësja kishte ushtruar padi në Departamentin për Çështje Administrative.

DÇA kishte marrë aktgjykim me të cilin kishte aprovuar kërkesëpadinë e paditëses duke e anuluar vendimin e KPMSHC-së dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje në Këshill.

Kundër këtij aktgjykimi, KPMSHC-ja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin kishte refuzuar ankesën e KPMSHC-së, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Përkundër kësaj, paditësja ishte detyruar që të ushtroj sërish padi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e paditëses, Gashi – Sheremeti, avokatja Venera Gashi, në seancën e së enjtes, ka deklaruar se qëndron pranë kërkesëpadisë, provave të prezantuar dhe të gjitha thënieve nga seanca paraprake.

“Në procedurën në të cilën është marrë aktgjykim nga kjo gjykatë më datë 14 korrik 2016 janë shqyrtuar provat nga të dyja palët, siç janë provat e administruara në seancën e shqyrtimit kryesor të datës 14 korrik 2016, kundër të tjera është prezantua edhe aktgjykimi i gjykatës supreme të Kosovës  i cili nuk është zbatuar nga punëdhënësi, pastaj procesverbalet e Inspektoratit Sanitar dhe atij të Punës, fotografit e kushteve të punës, aktemërimi i cili paditëses i është dërguar përmes postës pas inicimit të procedurës disiplinore dhe largimit nga puna”, tha përfaqësuesja e paditëses.

Tutje, ajo e ka njoftuar gjykatën se e paditura pas marrjes së aktgjykimit të Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamentit për Çështje Administrative, nuk i ka shqyrtuar fare vërejtjet e dhëna me këtë aktgjykim, dhe e ka lënë në fuqi vendimin e saj të më hershëm.

Po ashtu, ajo ka pretenduar se e paditura si përfaqësuese e punëdhënëses të Agjencionit Pyjor të Kosovës, nuk i kanë marr fare parasysh provat e parashtruara nga paditësja me rastin e  marrjes së vendimit të saj për largimin e paditëses  nga puna.

Mbi këtë bazë, avokatja Gashi i ka propozuar gjykatës që pas administrimit të gjitha provave të bie një vendim meritor duke e aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses, ashtu siç është kërkuar me padinë e parashtruar në këtë gjykatë me datë 3 prill 2017.

Në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës, Avdyl Bekteshi ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi dhe deklarimeve nga seancat e kaluara, si dhe e ka kundërshtuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses.

Bekteshi, ka kërkuar nga gjykata që padia e paditëses të refuzohet si e pa bazuar  dhe të vërtetohet vendimi kontestues i Këshillit.

Lidhur me pretendime e përfaqësueses së paditëses, përfaqësuesi i të paditurës Bekteshi ka thënë se të njëjtat janë të pa qëndrueshme, me arsyetimin se paditësja me veprimet e veta ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për Shërbyesit Civil dhe akteve ligjore për rregullimin e çështjes, dhe sipas tij në bazë të veprimeve të vetë paditëses ka ardhur deri te shqiptimi i masës disiplinore ndaj saj.

Tutje, Bekteshi ka pretenduar se largimi i paditëses nga puna ka qenë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, duke e arsyetuar me pretendimin se paditësja vetëm gjatë muaji prill të vitit 2014, kishte pasur tri vërejtje me shkrim.

Tutje, Bekteshi ka thënë se vendimi i datës 27 shkurt 2017 është nxjerr në përputhje të plot me dispozitat ligjore në fuqi dhe nuk i ka dëmtuar palët në proces.

Pas administrimit të provave, përfaqësuesja e paditëses, avokatja Gashi ka pretenduar se ka mungesë të provave dhe mbi këtë ajo i ka propozuar gjykatës që seanca të shtyhet deri në kompletimin e provave të munguara.

Paditësja personalisht ka kërkuar nga gjykata që ta obligoj të paditurën që sjell protokolet zyrtar të Agjencionit Pyjor të Kosovës, në regjion e Pejës, me arsyetimin se e paditura ka manipuluar me protokollet.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi i rastit Kreshnik Kaqiu me vendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësues së paditëses për shtyrjen e seancës,

Gjykatësi Kaqiu tha se për  seancën e radhës palët do të ftohen në mënyrë të rregullt. /BetimipërDrejtësi