Paditësja kërkon anulimin e vendimit të ATK-së, me të cilin është obliguar të paguajë tatim shtesë

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Në Departamentin për Çështje Administrative, paditësja – subjekti juridik “Alma Gjonbalaj- Hajdini” BI, po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me të cilin është obliguar të paguajë tatim shtesë.

Sipas vendimit të ATK-së, pas vlerësimit të të gjitha provave, paditëses i është refuzuar si e pabazuar ankesa dhe e njëjta është obliguar të paguajë tatim shtesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, Nehat Hajdini, deklaroi  se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së parashtruar në gjykatë.

Hajdini deklaroi se nga e paditura kanë kërkuar që për mallin e importuar nga paditësja, i cili mall shitet në mënyrë të rregullt dhe pagesat për të janë bërë përmes llogarisë bankare, të lirohet nga tatimi shtesë, sipas tij nga kontrolli është kalkuluar dy herë tatimi shtesë për mallin e njëjtë.

Tutje, Hajdini tha se e gjithë procedura e kontrollit ka filluar pasi që paditësja ka bërë kërkesë për mbylljen e biznesit, me qëllim që e njëjta të shkojë tek bashkëshorti i saj në Londër për bashkim familjar, e për të cilën kontroll ai tha se nuk kanë pranuar njoftimin.

“Nga ana e të paditurës, në fillim të procedurës së kontrollit janë ndryshuar dy inspektorat e parë, të cilët e kishin pranuar lëndën për kontroll dhe gjatë kësaj kohe ne kemi humbur komunikimin me të paditurën, ne kemi siguruar dëshmi nga posta se nuk kemi pranuar nga e paditura njoftimin për kontroll dhe kjo dëshmi gjendet në shkresat e lëndës”, tha Hajdini.

Në fund, i njëjti i propozoi gjykatës që bazuar në dëshmitë që gjenden në shkresat e lëndës, ta aprovojë kërkesëpadinë e paditëses, të anulojë vendimin e kontestuar si dhe paditësja të lirohet nga qarkullimi dhe tatimi shtesë nga mjetet, të cilat e kanë burimin nga pagat për të cilën paditësja ka punuar diku tjetër.

Përfaqësuesi i palës së paditur, Rinor Arifi, deklaroi se paditësja nuk i është përmbajtur obligimeve ligjore dhe gjatë procedurës së kontrollit nuk ka bashkëpunuar me ATK-në.

Sipas Arifit, paditësja ka qenë e njoftuar për fillimin e procedurës së kontrollit ngase më 11 prill 2019, përmes telefonit të njëjtës i ishte shpjeguar se kontrolli ndaj subjektit që ajo ka në pronësi do të fillojë dhe i është kërkuar që të paraqitet në zyrën e ATK-së.

Arifi tha se edhe pas kësaj janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontaktuar me pronaren e paditësit.

Sipas tij, është dorëzuar e-mail në adresën e cila ka qenë e paraqitur në sistemin EDI të ATK-së, por me asnjë nga këto përpjekje nuk është arritur që të kontaktohet pronarja.

Ndërkaq, lidhur me provat që paditësja i ka ofruar, Arifi deklaroi se të njëjtat kanë qenë jashtë afateve që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore, ndërsa shtoi se ato prova nuk mund të merren parasysh në procedurën e ankesave e as pranë gjykatës.

Pas kësaj, gjykatësi Rexhep Gashi kërkoi nga përfaqësuesi i të paditurës të deklarohet se cilat prova janë administruar nga ATK-ja në procedurën ankimore, me rastin e shqyrtimit të ankesës së paditësit.

Lidhur me këtë, Arifi tha se në seancën e sotme nuk është në gjendje të deklarohet, por një gjë të tillë është i gatshëm ta bëjë pasi të sigurojë procesverbalin e seancës dëgjimore në divizionin e ankesave.

Në këto rrethana, gjykatësi Gashi duke konsideruar se është i nevojshëm sigurimi i procesverbalit të seancës dëgjimore të zhvilluar tek e paditura, mori vendim për ndërprerjen e seancës dhe obligoi përfaqësuesin e të paditurës që në afat prej 5 ditësh të dorëzojë në gjykatë procesverbalin e seancës dëgjimore dhe dëshminë, me të cilën provohet fakti se pala e paditur ka qenë e njoftuar për kontrolle.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet më 2 mars 2022.

Sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2020, paditësja “Alma Gjonbalaj-Hajdini” BI po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës, me të cilin i është refuzuar si e pabazuar ankesa për tatim pagesë shtesë.

Në vendimin e ATK-së thuhet se paditësja është obliguar të paguajë tatim shtesë me arsyetimin  se për periudhën që është objekt i kontrollit nuk ka mbajtur libra dhe regjistrime konform legjislacionit tatimor në fuqi.

Tutje, në këtë vendim thuhet se tatimpaguesi ka bërë kërkesë për çregjistrimin e biznesit, e cila kërkesë është refuzuar për shkak të deklarimeve të pasakta, konkretisht qarkullimi në mes të llogarive bankare dhe deklarimit të bërë nga ana e tatimpaguesit.

Sipas vendimit, departamenti i ankesave në mbështetje të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative ka organizuar seancën dëgjimore, në të cilën tatimpaguesi ka deklaruar se atyre nuk i është dorëzuar asnjë dokument për hapjen e kontrollit dhe i njëjti është informuar për rezultatet e kontrollit nga mbledhja e detyrueshme.

Sipas padisë, vendimi i ATK-së përmban vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje procedurale dhe aplikim të gabueshëm të gjendjes faktike. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë