Paditësja kërkon 30 mijë euro kompensim për aksidentin kur ishte goditur nga vetura në vendkalim këmbësorësh

unnamed (5)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Tridhjetë mijë euro, është shuma që po kërkon paditësja Ibe Lumi, për aksidentin që kishte ndodhur në qershor të vitit 2017, e në të cilin kishte pësuar lëndime të rënda trupore, pasi ishte goditur nga një veturë, derisa ajo ishte në cilësinë e këmbësores.

Ky aksident, sipas padisë, kishte ndodhur afër stacionit të autobusëve në Prishtinë, teksa ajo ishte duke e kaluar rrugën në vendkalimin për këmbësorë.

Në padi thuhet se shkaktar i këtij aksidenti ishte automjeti, i cili ishte i siguruar të kompania e sigurimeve “Sigkos”, ndaj së cilës ajo ka ushtruar padi në korrik të vitit 2017, duke kërkuar kompensim dëmi për lëndimet që pretendon se i janë shkaktuar asaj.

Lidhur me këtë rast, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca gjyqësore, në të cilën është caktuar që të bëhet ekspertizë mjekësore dhe e komunikacionit në rastin ku paditësja Lumi po kërkon 30 mijë euro nga kompania e sigurimeve “Sigkos”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një shumë të tillë, ajo e ka kërkuar me pretendimin se dëmi i është shkaktuar nga goditja e veturës, derisa ajo kishte qenë duke e kaluar rrugën në vendkalimin e këmbësorëve, në semaforë me dritë të gjelbër sinjalizuese, e dedikuar për këmbësorë.

Fillimisht, në seancën e së enjtes përfaqësuesi i paditësit Adnan Pacolli, i cili ishte me autorizim bartës, nga avokati Jeton Idrizi, i ka dorëzuar gjykatës ekspertizën e komunikacionit të kryer në procedurën penale, ku siç tha ai, në bazë të saj do të vërtetohet baza juridike e kërkesëpadisë.

Ai ka thënë se në bazë të kësaj ekspertize është konstatuar se deri të aksidenti ka ardhur me fajin e veturës së siguruar tek tani e paditura, ku sipas tij, ngasësi në vendkalim për këmbësorë, ka hyrë në semafor me ngjyrë të kuqe, me ç’rast e ka goditur tani paditësen, e cila sipas tij, ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ai i ka propozuar gjykatës që të bëjë nxjerrjen e provës me ekspertizë mjekësore nga lëmi i ortopedisë-traumatologjisë dhe atë të psikiatrisë.

Për ekspertë është propozuar Sami Deliaj ortoped-traumatolog, dhe Nazmije Musliu psikiatre.

Një propozim i tillë nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës, Amir Gashi.

Gjithashtu, ai ka thënë se mbetët në tërësi pranë përgjigjes në padi, duke e kundërshtuar bazën juridike të kërkesëpadisë, ku sipas tij edhe gjatë trajtimit të kësaj çështje në procedurë të rregullt nuk ka qenë e qartë baza juridike.

Ai i ka propozuar gjykatës nxjerrjen e ekspertizës nga lëmi i komunikacionit, me qëllim të vërtetimit të shkaktarit të aksidentit.

Për ekspert ai ka propozuar Asllan Pllanën, i cili do të ketë për detyrë të sqarojë kontributin e njërës dhe palës tjetër në aksidentin e shkaktuar në vitin 2017.

Mirëpo, një propozim i tillë është kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditëses, avokati Pacolli, i cili ka thënë se shihet qartë se në raportin e policisë dhe ekspertizën e hartuar në procedurën penale se aksidenti ka ndodhur në vendkalimin e këmbësorëve dhe sipas tij, baza juridike e kërkesëpadisë është e qartë.

Gjithashtu, ai e ka kundërshtuar edhe emrin e ekspertit të propozuar nga përfaqësuesi i të paditurës.

Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditëses që të caktohet ekspertizë nga lëmi i ortopedisë-traumatologjisë, ku për ekspert është caktuar Sami Deliaj, i cili do të ketë për detyrë të përcaktojë shkallën dhe natyrën e lëndimeve, intensitetin e dhimbjeve fizike, zvogëlimin e aktivitetit të përgjithshëm mjekësor, shkallën e shëmtimit, sa kohë ka qenë e nevojshme ndihma e personit të tretë, ushqimin e përforcuar, si dhe rehabilitimin fizio-terapeutik.

Ndërsa, për ekspertë nga lëmi i psikiatrisë është caktuar Nazmije Musliu, e cila do të ketë për detyrë të përcaktojë shkallën, intensitetin dhe manifestimet e frikës që kanë ndodhur tek paditësja si pasojë e aksidentit.

Gjithashtu, gjykatësi Tërshnjaku e ka aprovuar edhe propozimin e përfaqësuesit të të paditurës që të caktohet ekspertizë e komunikacionit, ku për ekspert është caktuar Asllan Pllana, i cili për detyrë do të ketë që të sqarojë rrethanat e aksidentit të shkaktuar si dhe kontributin e pjesëmarrësve në këtë aksident të komunikacionit.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 26 korrik 2017, paditësja Ibe Lumi po kërkon nga kompania e sigurimeve “Sigkos”, kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 30 mijë euro, pas aksidentit në komunikacion.

Sipas padisë, më 19 qershor 2017, përball stacionit të autobusëve në Prishtinë, është shkaktuar aksident komunikacioni, në të cilin lëndime të rënda trupore me pasoja të përjetshme ka pësuar tani paditësja.

Siç thuhet në padi aksidenti është shkaktuar nga ngasësi i automjetit të udhëtarëve “Opel Vectra”, i cili qarkullonte në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

Në padi thuhet se nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës si dhe duke mos iu kushtuar kujdes këmbësorëve, kur arrin përball stacionit në Prishtinë, me automjet godet tani paditësen, e cila në atë moment ishte duke e kaluar rrugën në vendkalimin për këmbësor, në semafor të gjelbër me sinjalizues dedikuar këmbësorëve, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përjetshme.

Përmes kësaj padie, ajo ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë kompaninë e sigurimeve “Sigkos” që asaj t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material të shkaktuar nga aksidenti në komunikacion. /BetimipërDrejtësi