Paditësit kërkojnë 38 mijë euro kompensim për aksidentin ku kishte humbur jetën familjari i tyre

Nora Kelmendi-Raporti per Web- Rasti Fetije Ujkani etj (civile )- 3 prill 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Prill 3, 2018

Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, të martën, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor, në kontestin për kompensim dëmi, me rastin e aksidentit në trafik, më 8 dhjetor 2014, në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, i cili kishte përfunduar me fatalitet, ku kishte humbur jetën, Kadri Ujkani.

Paditës në këtë rast janë bashkëshortja e viktimës, Fetije Ujkani dhe katër fëmijët, Agron, Remzi, Armend dhe Azize Ujkani, të cilët përmes padisë, po kërkojnë nga kompania e sigurimeve “Illyria”, kompensimin e dëmit për dhimbjet shpirtërore dhe shpenzimet materiale, në vlerë prej 38 mijë eurosh.

Në seancën e shqyrtimit kryesor, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Zaim Istrefi, gjykatës i ka dorëzuar precizimin e kërkesëpadisë, përmes së cilës kërkohet që baza juridike të jetë 80%, për të paditurën, dhe 20% në emër të lëshimeve të tani të ndjerit, duke theksuar se kjo shkallë e përgjegjësisë është reale, sepse sipas tij, lëshimet e tani të ndjerit janë të konstatuara edhe nga ekspertiza e komunikacionit.

Ndërsa, e autorizuara e të paditurës, Arjeta Krasniqi, tha se e kundërshton bazën juridike të kërkesëpadisë në kuptimin e përgjegjësisë për shkaktimin e aksidentit, me arsyetimin se edhe këmbësori, tani i ndjeri ka kontribuar në shkaktimin e aksidentit, duke kaluar rrugën në vendin i cili nuk ka qenë i destinuar për këmbësor, e që sipas saj, kjo vërtetohet edhe në ekspertizën e komunikacionit, përmes së cilës përgjegjësia primare për shkaktimin e aksidentit bie ndaj të siguruarës të të paditurës, ndërsa përgjegjësia sekondare bie ndaj tani të ndjerit.

Sipas saj, pala e paditur pranon vetëm 70% të përgjegjësisë.

Ajo më pas tha se si palë e paditur, pjesërisht e kundërshtojnë lartësinë e kërkesëpadisë lidhur me kompensimin e dhimbjeve shpirtërore për vdekjen e të afërmit, ngase sipas saj, shuma prej 7.200 euro është shumë e lartë dhe në kundërshtim me praktikat gjyqësore dhe rregulloren e Bankës Qendrore.

Krasniqi gjithashtu tha se pala e paditur e kundërshton kërkesëpadinë lidhur me ngritjen e përmendores për shkak se nuk ka prova materiale se këto shpenzime janë kryer.

Tutje, pasi që palët nuk kanë pasur propozime për prova të tjera, gjykata ka kaluar në administrimin e provave, me ç’rast pas administrimit të tyre, palët kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësve, avokati Zaim Istrefi, ka kërkuar nga gjykata që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e precizuar të paditësve, ndërsa përfaqësuesja e të paditurës, Arjeta Krasniqi, ka deklaruar se mbetet pas deklarimeve të lartcekura, duke shtuar se nga Gjykata kërkon që kërkesëpadinë e paditësve ta aprovojë pjesërisht.

Ndërkaq, lidhur me rastin konkret, ngasësi i automjetit Ali Mexhera, i cili konsiderohet shkaktar i aksidentit në fjalë, më 1 tetor 2015, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, dega në Vushtrri, për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 i KPRK-së, dhe ishte dënuar me 1 vit burgim.

Ndryshe, përmes padisë dhe precizimit të kërkesëpadisë së paditësve, kërkohet që gjykata të obligojë kompaninë e sigurimeve “Illyria”, që paditësve tu kompensojë shumën prej 38.000.00 euro, në të cilën përfshihet kompensimi për dhimbje shpirtërore dhe shpenzimet materiale, të cilën e kanë pësuar bashkëshortja dhe fëmijët, me rastin e vdekjes së papritur të bashkëshortit dhe prindit, Kadri Ujkani,  si pasojë e fatkeqësisë në komunikacion më 8 dhjetor 2014.