Paditësit kërkojnë 25 mijë euro nga Komuna e Pejës dhe MPB-ja për shkak të djegies së veturës nga persona të panjohur

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 10, 2019

Pejë – Duke pretenduar se në natën e 18 majit të vitit 2017, vetura e paditësve Zamire dhe Valon Tigani, ishte përfshirë nga zjarri para banesës së tyre në Pejë, ata tash po kërkojnë 25 mijë euro kompensim dëmi.

Me pretendimet se përveç dëmeve materiale, ata kanë përjetuar edhe frikë, kanë ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kompensimin e dëmit, po e kërkojnë nga Komuna e Pejës dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pasi sipas padisë, makina ishte djegur nga persona të panjohur dhe se siç pretendojnë ata, në bazë të Kushtetutës së Kosovës organet shtetërore janë përgjegjëse për sigurimin e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Lidhur me këto pretendime, të martën në Gjykatën Themelore në Pejë është mbajtur seanca përgatitore.

Përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Valon Kastrati, ka propozuar që të caktohet një ekspertizë e makinerisë dhe neurologjisë, me qëllim të vërtetimit të bazës dhe lartësisë së kërkesëpadisë.

Ndërsa, në anën tjetër, kërkesëpadinë e paditësve e ka kundërshtuar përfaqësuesja e Komunës së Pejës, avokatja Drita Sopi-Gashi, duke e mohuar përgjegjësinë për pagimin e dëmit.

“E kundërshtojmë kërkesëpadinë e paditësit në raport me Komunën e Pejës, sepse të paditurës së parë i mungon legjitimiteti që të jetë palë në procedurë. Poashtu përgjegjësia për kompensimin e dëmit nuk bie në përgjegjësi të paditurës së parë sepse dëmi në rastin konkret është shkaktuar pa fajin e të paditurës së parë”, ka thënë avokatja Sopi-Gashi.

Gjykatësja e çështjes, Ganimete Puka ka marr vendim me të cilin e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për caktimin e ekspertizës së makinerisë, ndërsa ka refuzuar të caktojë një ekspertizë të neurologjisë.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar e paditura e dytë, Ministria e Punëve të Brendshme, edhe pse sipas gjykatëses Puka, ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 12 qershor 2017, paditësit Zamire dhe Valon Tigani kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë që të paditurat, Komuna e Pejës dhe Ministria e Punëve të Brendshme të detyrohen solidarisht të paguajnë shumën prej 25 mijë euro, në emër të dëmit material dhe jo material.

Paditësit  në bazë të padisë theksojnë se më 18 maj të vitit 2017, para banesës së tyre u është djegur vetura e tipit Audi “A8”, nga persona të panjohur.

Ata pretendojnë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi organet shtetërore kanë për detyrim të mbrojnë jetën dhe pasurinë e qytetarëve. /BetimipërDrejtësi