Paditësi thotë se udhëzimi administrativ i MPMS-së është diskriminues dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Paditësi I.T, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative, tha se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është diskriminues dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Paditësi I.T po kërkon njohjen e pensionit kontributdhënës.

Sipas vendimit të MPMS-së, paditësit i është refuzuar kjo kërkesë me arsyetimin se nuk janë paraqitur dëshmi të mjaftueshme për nivelin e përgatitjes shkollore të bashkëngjitur në kërkesë dhe nuk janë përmbushur kushtet dhe kriteret e nevojshme për përfitimin e pensionit kontribut-pagues të moshës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kundërshtoj udhëzimin administrativ, i cili është diskriminues dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut për arsye se e drejta e fituar nuk mund të tjetërsohet dhe e njëjta më është mohu”, tha paditësi.

I njëjti shtoi se sipas tij kjo është pronë personale pasi që gjatë tërë jetës së tij ka punuar për këtë pension dhe duhet me patjetër t’i njihet diploma.

Gjatë kësaj seance është bërë administrimi i provave nga gjykatësja e rastit Lirije Maksutaj dhe është dhënë fjala përfundimtare.

Në fjalën e tij përfundimtare, paditësi I.T deklaroi se  mbetet në tërësi pranë padisë dhe e konteston vendimin e paditëses, pasi që kërkon t’i njihet e drejta në pension më kontribute për kategorizimin e shkollimit të lartë.

Ndryshe, në seancën e së martës, prezent ishte vetëm pala paditëse I.T, ndërsa lidhur me mungesën e palës së paditur, gjykatësja Maksutaj konstatoi se e njëjta është ftuar me rregull, mirëpo nuk e ka arsyetuar mungesën.

Sipas padisë së ushtruar në prill të vitit 2018, paditësi I.T ka kërkuar  nga Ministria e Punëve  dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që t’i njihet e drejta e pensionit kontributdhënës, e drejtë kjo e cila i është refuzuar nga MPMS, pasi që e njëjta nuk ia ka njohur diplomën universitare nga Universiteti “Hasan Prishtina”. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë