Paditësi thotë se u detyrua nga Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim të paguaj borxhin që s’ishte real

Rasti i Ramadan Zeqirit 08.02.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Paditësi Ramadan Zeqiri, i cili në vitin 2016, ka paditur Zyrën e Rregullatorit të Ujësjellësit dhe Kanalizimit, të premten, ka kërkuar që gjykata t’ia aprovojë padinë me pretendimin që kjo zyrë e kishte detyruar të paguante një borxh jo real.

Këtë deklarim Zeqiri e bëri në seancën e mbajtur në Departamentin Administrativ, ku ndër tjera ka theksuar që Kompania e Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”, i kishte bërë faturim paushall të shpenzimit të ujit.

Sipas Zeqirit, në momentin kur ekipi i ujësjellësit kishte ndërruar orët e ujit, nuk e kishte bërë të njëjtën gjë edhe për paditësin, e kur faturat i kishin ardhur, sipas tij, për një muaj ai ishte ngarkuar deri në 150 euro për pagesë.

Ai tha se kishte krahasuar faturat me atyre të fqinjëve dhe të vëllezërve të tij dhe kishte parë që shumat e faturimit ndaj tij ishin marramendëse.

Mirëpo, këtë deklarim të Zeqirit e kundërshtoi në tërësi përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit të Ujësjellësit Behxhet Rama, i cili tha se Zeqiri kishte përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve dhe më pas kishte nënshkruar kontratë me kompaninë e ujësjellësit që të paguante me këste borxhin në vlerë prej 1,067 mijë euro dhe që i njëjti tani ka borxh vetëm 13 euro.

Zeqiri më pas shtoi që ishte i detyruar të lidhte këtë kontratë me kompaninë pasi që e njëjta në mënyrë indirekte e kishte kërcënuar me shkyçje nga sistemi i ujit, ndërsa i njëjti shtoi që nuk ka mundur të pranonte një gjë të tillë e të barte ujë me kovë.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare, gjykatësja Anita Nikqi-Morina njoftoi palët që vendimin me shkrim do ta marrin me kohë sipas ligjit.

Ramadan Zeqiri, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ më 18 prill 2016, me pretendimin se komisioni këshillues i konsumatorëve nuk kishte vërtetuar drejtë gjendjen faktike në rastin e faturimit të tij për shpenzim të ujit.

Sipas padisë, Zeqiri ankohet që ndaj tij ishte bërë faturimi paushall i shpenzimit të ujit sepse KUR “Prishtina”, nuk kishte vendosur ujëmatës te ai.

Ai nga ana e gjykatës kërkon që t’i aprovojë kërkesën dhe që gjykata po ashtu të vërtetojë që ndaj tij është bërë faturimi më i lartë se ajo që ai ka harxhuar, pasi që ky faturim është bërë në mënyrë paushalle.