Paditësi thotë se ka qenë i caktuar në linjën dy, por në të ndërhyri operatori “Barileva Trade” duke mbajtur linjën dhe terminin e njëjtë

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë –Përfaqësuesi i paditësit N.Sh. “Kastrioti” Nazim Mehmeti, thotë se paditësi kaqenë i caktuar në linjën 2 dhe këtë linjë e ka mbajtur për një kohë të gjatë, ndërkaq në këtë linjë ka ndërhyrë operatori “Barileva Trade”.

Këtë deklarim, përfaqësuesi Mehmeti e bëri të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku N.Sh “Kastrioti” ka paditur Komunën e Obiliqit.

 

Seanca u mbajt pa prezencën e palës së paditur, për të cilën gjykatësja Donikë Dobruna ka theksuar se e paditura ftesën për seancë e ka pranuar, ndërsa mungesën e saj nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

 

Andaj, me propozimin e përfaqësuesit Mehmeti, gjykatësja Dobruna mori aktvendim për mbajtjen  e seancës në mungesë të të paditurës.

Pas marrjes së aktvendimit për mbajtjen e seancës, përfaqësuesi i paditësit, Mehmeti,  ka cekur se paditësi ka qenë i caktuar në linjën 2 dhe në këtë linjë ka ndërhyrë operatori “Barileva” me termin e linjë të njëjtë.

“Në këtë linjë, ka ndërhyrë edhe operatori tjetër Barileva Trade”, e cila me autobusin e saj, e mban të njëjtën vijë dhe të njëjtin termin. Sipas marrëveshjes kjo kompani është përcaktuar që t’i mbajë linjat 11 dhe 12”, ka thënë i njëjti.

Po ashtu, Mehmeti ka theksuar se me qëllim të evitimit të dëmit, përkatësisht fitimit të humbur, pala e paditur është dashur të ndërpresë këtë vijë dhe të lejojë operatorin legal, për mbajtjen e kësaj linje.

Sa i përket shumës dhe vlerës së fitimit të humbur, përfaqësuesi i paditësit, Mehmeti ka rezervuar të drejtën që në të ardhmen të mund të propozojë ekspertizë përkatëse.

Pas kësaj, gjykatësja Dobruna ka shtyrë seancën e radhës për datën 25 janar 2022.

Ndryshe, ky kontest fillimisht është iniciuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Ekonomike , por që më 31 tetor 2016, e ka shpallur veten jo kompetente për këtë çështje juridike.

N.Sh. “Kastrioti” SHPK ka paditur Komunën e Obiliqit për kompensimin e dëmit për humbjet e shkaktuara për periudhën 3 vjeçare e tutje.

Sipas padisë së ushtruar më 19 nëntor 2015, paditësi ka të regjistruar biznesit te Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës si operator për transportin e udhëtarëve, mirëpo përkundër kësaj operatori ilegal “Barileva” ka operuar në këtë linjë.

Për këtë, sipas padisë, paditësi ka njoftuar organet e të paditurës me qëllim të pengimit të punës së këtij operatori, ndërkaq e paditura nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim.

Duke marrë parasysh këto, paditësi “Kastrioti” ka kërkuar që e paditura Komuna e Obiliqit t’ia kompensojë humbjet për periudhën 3 vjeçare. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë