Paditësi tërheq padinë, thotë se kompania e sigurimeve e ka kompensuar atë para katër vjetësh

Gjykata (24)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Qershor 10, 2019

Prishtinë – Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim me të cilin e ka tërhequr padinë e paditësit Imer Ahmetaj ndaj kompanisë së sigurimeve “Sigal”, për kompensimin e shpenzimeve mjekësore në shumë prej 1,547.70 euro.

Gjykatësi Hysni Bardheci, këtë vendim e ka marrë pasi që paditësi ka deklaruar se pas ngritjes së padisë, kompania e kishte përmbushur obligimin e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e di përse avokati im nuk e ka tërhequr padinë më herët, sepse e paditura obligimin e saj e ka përmbushur rreth katër vite më parë”, tha paditësi Ahmetaj.

Duke u bazuar në këtë, ai ka deklaruar se e tërheq padinë ndaj kompanisë së sigurimeve “Sigal”.

Gjykatësi Bardheci, me aktvendim e ka konsideruar të tërhequr padinë e paditësit Ahmetaj, ndaj kompanisë së sigurimeve “Sigal”.

Ai ka thënë se palëve ndërgjygjëse me kohë do t’iu dorëzohet aktvendimi i këtij rasti.

Ndryshe, në seancën e së hënës, nuk ka prezantuar përfaqësuesi i të paditurës “Sigal”, për të cilin gjykatësi ka deklaruar se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 26 gusht 2016, pretendohet se paditësi, brenda periudhës së validitetit të kontratës mbi shërbimet e sigurimit shëndetësor, ka pasur probleme shëndetësore dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u ishte nënshtruar intervenimit kirurgjik.

Sipas padisë, paditësi gjatë kohës së shërimit ka poseduar sigurimin shëndetësor, të lidhur me tani të paditurën.

Siç thuhet në padi, paditësit kishte parashtruar kërkesë për kompensimin e shpenzimeve të shërimit tek e paditura, por sipas padisë, ajo ia kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin se sëmundja e tij kishte qenë “preegzistuese”.

Në padi thuhet se sipas kontratës së lidhur ndërmjet paditësit Ahmetaj dhe kompanisë së sigurimit “Sigal”, ka rrjedh detyrimi i të paditurës për kompensimin e shpenzimeve mjekësore.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësi ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që paditësit t’ia kompensojë shpenzimet e mjekimit në shumë të përgjithshme prej 1,547.70 euro.  /Betimipërdrejtësi