Paditësi po kërkon nga Elkos kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave të papaguara që nga viti 2017

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Paditësi Bujar Hasani përmes padisë po kërkon nga e paditura Elkos anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave të parealizuara, që nga viti 2017 e deri më tani.

Për këtë i autorizuari i paditësit Agron Curri, në seancën përgatitore të së hënës, propozoi që të bëhet ekspertizë financiare për llogaritjen e pagave të humbura deri më tani, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Fillimisht, i autorizuari i paditësit avokati Curri, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj, pasi që sipas tij, e paditura me aktvendimet e saja të cekura në detaje në padi, ka vepruar në kundërshtim të plotë në dispozitat e parapara në Ligjin e Punë.

Po ashtu, Curri shtoi se  ato vendime si në dispozitiv ashtu edhe në arsyetim, janë të dhëna në kundërshtim dhe kontradiktore në mes veti.

Ndërsa, lidhur me lartësinë e kërkesëpadisë theksoi do të vendos eksperti financiar për të bërë  llogaritjen e pagave të papaguara.

I njëjti deklaroi gjithashtu që paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës pa paralajmërim, në kundërshtim me dispozitën e nenit 70, pika 3, 70, par 1.3, 71 pika 1.2,  të Ligjit të Punës.

Andaj pas kësaj, avokati Curri propozoi që të administrohen provat dhe gjithashtu rezervoi të drejtën për ndonjë provë tjetër gjatë seancave të ardhshme.

Tutje, përfaqësuesja e të paditurës Elkos, Ardita Nitaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi që e kishin bërë më 27 gusht 2018, duke kërkuar nga gjykata që me kujdes t’i shqyrtojë shkresat e lëndës, se paditësi vendimin e paditurës e ka pranuar më 15 maj 2017.

Duke u bazuar në atë fakt, sipas saj, ushtrimi i padisë ishte bërë pas afatit ligjor, për këtë përfaqësuesja Nitaj, tha se këtë fakt do ta vërtetojë edhe me provë, por që për momentin nuk e kishte me vete, por do t’ia sjellë gjykatës në seancën e radhës.

“Nuk qëndron thënia se nuk e kemi lajmëruar paditësin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, se paditësi është lajmëruar 45 ditë para se t’i ndërprehet marrëdhënia e punës, ky fakt vërtetohet edhe me pagën që i është lëshuar paditësit për 45 ditët e paralajmëruara”, tha përfaqësuesja e të paditurës, Nitaj.

E njëjta shtoi se këtë do ta vërtetojë me listën e pagave, në seancën e radhës.

Lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditësit, ajo tha se të paditurës i është dashur ta bëjë reduktimin e disa punëtorëve në disa njësi punuese.

Për këtë arsye, thekson se paditësit nga e paditura i është ofruar mundësia që të punojë me orar të reduktuar, mirëpo i njëjti këtë ofertë nuk e kishte pranuar dhe kishte reaguar keq duke ofenduar personelin e burimeve njerëzore, pas kësaj sipas saj ka pasuar paralajmërimi për 45 ditë se do të nderprehet marrëdhënia e punës.

Po ashtu, si palë e paditur, rezervuan të drejtën për ndonjë provë tjetër e gjithashtu nuk e kundërshtuan as administrimin e provave nga padia dhe propozimin për ekspertizë.

I autorizuari i paditësit, avokati Curri pas kësaj deklaroi se nuk ka pasur fare paralajmërim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, paditësi sipas tij ishte ftuar nga e paditura për ta shqyrtuar punën e reduktuar me çka paditësi nuk është pajtuar.

Ai tha se e paditura po atë ditë ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës.

Gjithashtu, i njëjti tha se nuk qëndron fakti se paditësi ka pas sjellje jo korrekte atë ditë me personelin e burimeve njerëzore, përveç faktit se nuk e ka pranuar propozimin për orar të reduktuar.

Më pas, gjyqtarja e çështjes Afërdita Mulhaxha , mori vendim që të vendos në seancat e radhës lidhur me vendimin për ekspert, ndërsa të paditurën e obligoi që në afat prej 7 ditësh t’i sjellë provat e cekura më lartë.

Seanca e radhës, me pëlqimin e palëve u caktua më 24 shkurt 2022.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 6 korrik 2017, nga paditësi Bujar Hasani kundër të paditurës ‘’Elkos’’ Sh.p.k, për anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendim e punës, paditësi me të paditurën Elkos, njësia punuese ETC Podujevë, kishte themeluar marrëdhënie pune nga 29 janar 2010, fillimisht me kontrata me kohë të caktuar, ndërsa nga 1 shtatori 2014, kishin lidhur kontratë pune për kohë të pacaktuar me pozitën e punës Përgjegjës i Departamentit FD.2.

Nga padia thuhet se më 28 mars 2017, paditësi ishte ftuar nga e paditura që të paraqitet tek administrata qendrore në Pejë, për të nënshkruar kontratën e re me orar të shkurtuar.

Paditësi thuhet se nuk ishte njoftuar paraprakisht për një vendim të të paditurës, ku pas kësaj nuk ishte pajtuar që të nënshkruajë një kontratë të tillë edhe për faktin se përfaqësuesit e të paditurës nuk kishin ofruar ndonjë arsyetim ligjor apo real për një veprim të tillë.

Nga kjo padi, paditësi Bujar Hasani, po kërkon që të anulohen vendimet për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe që e paditura Elkos ta kthejë në vendin e punës dhe të paguajë të gjitha pagat mujore të parealizuara deri në momentin e kthimit në marrëdhënien e punës duke llogaritur prej 4 maj 2017. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë