Paditësi po kërkon mbi 2 mijë euro nga fqinji, për dëmin që bagëtitë e tij ia shkaktuan në pronë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Paditësi Mehmet Lajqi, po kërkon nga i padituri fqinji i tij Isuf Laqji, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar nga bagëtitë e këtij të fundit, në pronën e paditësit Mehmet dhe atë në vlerë prej 2 mijë e 500 euro.

Në seancën e së enjtes, paditësi Lajqi njoftoi se kishte revokuar autorizimin ndaj të autorizuarit të tij, avokatit Idriz Ibraj, duke thënë që nuk ka nevojë për avokat, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, paditësi Mehmet tha se i padituri Jusuf, i kishte shkaktuar dëme në pronën e tij.

Ndërsa, pasi që gjykata konstatoi se paditësi nuk i kuptonte pyetjet që ia parashtronte gjykata për shkak të një problemi shëndetësor dhe nuk ishte i qartë në deklarimin e tij, edhe pse gjykata provoi me ton shumë të lartë t’ia mundësojë deklarimin, i njëjti në çdo fjalë deklaronte përgjigje tjetër për shkak të atij problemi.

Më pas, paditësi tha se mund të veprojë sipas udhëzimeve të gjykatës dhe ta sigurojë një avokat me ndihmë juridike falas apo në vendin e tij të paraqitet i biri i tij.

“Edhe pse unë kisha pas dëshirë të deklaroj shumë gjëra dhe shumë kërcënime nga i padituri, dhe të paraqitet vet Jusufi në seancë e, jo djali i tij’’, tha paditësi Mehmet.

I autorizuari i të paditurit, Durim Lajqi,  lidhur me këtë situatë deklaroi se pranon që paditësi të autorizojë të birin apo ndonjë avokat sipas vullnetit të tij.

I njëjti tha se do dëshironte që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet personi që i ka dërguar dhentë në bjeshkë e që i padituri ka thënë se i ka penguar, e që kjo sipas tij nuk është e vërtetë dhe propozoi që të ftohen këta dëshmitarë që ta tregojnë të vërtetën.

Pas kësaj, gjyqtarja e rastit Afërdita Mulhaxha, mori vendim që të shtyhet seanca për 6 janar 2022 dhe e obligoi paditësin që për seancën e radhës ta autorizojë të birin e tij apo avokatin tjetër.

Sipas padisë së ngritur më 23 tetor 2018, paditësi Mehmet Lajqi ka paditur Isuf Lajqin për kompensimin e dëmit në vlerë 2 mijë e 500 euro.

Në padi thuhet se paditësi është pronar i paluajtshmërive të evidentuara në ZK Shtupeq, me kulturë toka bujqësore dhe atë livadhe kryesisht dhe kullosa.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se i padituri me tufat e tij të bagëtive në vazhdimësi i ka dëmtuar pronën e gjegjësisht frytin e saj, duke i kullotur në pronën e tij çdo ditë dhe atë pa ndërprerë.

E për këtë, paditësi po kërkon që i padituri në emër të dëmit të shkaktuar gjatë verës së vitit 2018, në pronën e tij në Shtupeq të Vogël, duke i kullotur bagëtitë e tij me mbi 6 hektar tokë e duke i dëmtuar livadhin e paditësit, t’ia kompensojë shumën prej 2 mijë e 500 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë