Paditësi po kërkon kthimin e mjeteve të paguara shtesë për tarifë doganore nga Dogana e Kosovës

165153851_472385997444984_5571946586143491880_n
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 7, 2021

Prishtinë – Kompania “Intershped sh.p.k” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e aktvendimit të Doganës së Kosovës.

Në padi thuhet se me vendimin e Deklaratës Unike Doganore, Dogana e Kosovës kishte kontestuar vlerën e mallit lëndor, ndërsa në procesin e përcaktimit të vlerës së mallit, malli ishte vlerësuar në bazë të metodës së gjashtë të vlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi, paditësi kishte ushtruar ankesë me të cilën kishte kontestuar vlerësimin e bërë të mallit lëndor duke pretenduar se Dogana e Kosovës ka qenë e obliguar që zhdoganimin e mallit ta bëjë sipas vlerës së faturës e jo duke e ngritur bazën doganore të mallit.

Por, që sipas padisë, këtë ankesë Dogana e Kosovës e kishte refuzuar si të pabazuar.

Në arsyetimin e vendimit të DK-së, thuhet se vlera e mallit e deklaruar për zhdoganim është më e vogël se sa vlera reale e paguar apo që ka për t’u paguar për mallin e shitur.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Ramush Rexhaj, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesë padisë duke i kërkuar gjykatës që të anulohet aktvendimi i të paditurës me qëllim që gjykata të merr vendim meritor duke  u bazuar në vlerën e transaksionit sipas faturave apo që lënda të kthehet në rishqyrtim apo rivendosje.

Tutje i njëjti i ka propozuar gjykatës që pasi që disa nga dokumentacionet e bashkangjitura në padi janë në gjuhën angleze, kjo seancë të ndërpritet dhe të vazhdojë pas përkthimit të dokumentacionit në gjuhën shqipe.

Ky propozim u aprovua nga gjykatësi i rastit Fisnik Nuli, duke obliguar përfaqësuesin e paditësit që në afat prej 15 ditësh të bëjë përkthimin e dokumenteve dhe me anë të parashtresës t’ia përcjell gjykatës.

Seanca e radhës është caktuar më 6 maj 2021 në ora 11:00

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 20 nëntor 2018, paditësi “Intershped sh.p.k” ka paditur Doganën e Kosovës, lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar si e pabazuar.

Paditësi ka konsideruar se shuma e paguar ishte shumë e lartë dhe metoda e vlerësimit gjashtë nuk kishte qenë metoda që duhej përdorur në vlerësim të këtij malli.

Dogana e Kosovës, më 20 nëntor 2018, paditësit i kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit, pasi siç thuhet vlera e mallit e deklaruar për zhdoganim nuk është vlera reale e paguar për mallin pasi që është deklaruar vlerë më e vogël se sa vlera reale e paguar./BetimipërDrejtësi