Paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së, thotë se kompania e tij ishte ngarkuar me tatim shtesë

Pallati i Drejtësisë (2)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Mars 12, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi Qenan Gashi, pronar i kompanisë “Gashi Com”, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit “Gashi Com”, të cilën ankesë, ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim thuhet se tatimpaguesi gjatë afarizmit kishte bërë shitje me shumicë dhe pakicë, ku për shitjet me pakicë kishte lëshuar kupona të shërbimit në të cilat nuk ishte cekur blerësi, për çka kishte ardhur deri tek tatimi shtesë.

Lidhur me këtë, në seancën e së enjtes është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku paditësi Gashi ka deklaruar se mbetet pranë padisë-ankesës, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta aprovoj si të bazuar, të anuloj vendimin e kontestuar, si dhe të lirohet nga qarkullimi dhe tatimi shtesë, me të cilat ishte ngarkuar.

Pas kësaj janë administruar provat, ndër to, ankesa e paditësit, vendimi i ATK-së, raporti nga kontrolli i ATK-së, aktiviteti i inspektorit tatimor, etj.

Ndryshe, paditësi Gashi, pronar i kompanisë “Gashi Com”, kishte ushtruar padi më 8 maj 2008 ndaj të paditurës, ATK-së, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore.

Sipas ankesës, paditësi ka kërkuar që të ndryshohet raporti i kontrollit si dhe të lirohet nga pagesa prej 35,268.43 euro, të cilën inspektori e kishte paraparë në emër të vlerës së tregut të hapur. /BetimipërDrejtësi