Paditësi nuk ftohet në mënyrë të rregullt, shtyhet gjykimi për kompensim dëmit për shkak të djegies së banesës nga rryma elektrike

foto e gjykates (5)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 23, 2021

Raporton: Rita MAZREKAJ

Pejë- Shtyhet gjykimi civil, ku paditësi Aziz Gjakova po kërkon kompensim dëmi nga KEDS,   për shkak të djegies së banesës së tij në vitin 2017, në Pejë.

Seanca përgatitore është shtyrë për shkak të mungesës së paditësit Gjakova, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Për mungesën e paditësit Gjakova, gjyqtari Fatmir Baloku deklaroi se gjykata nuk e ka ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që e njëjta ftesën ia ka dërguar avokatit Binak Cena, e cili është vetëm përpilues i padisë dhe jo përfaqësues i saj.

Në këto rrethana gjyqtari Baloku seancën e shtyri për 6 prill 2021 në ora 13:00, për kur paditësi Aziz Gjakova do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Ndryshe prezent në seancë ishte vetëm përfaqësuesi i të paditurës KEDS, përfaqësuesi Granit Gërvalla.

Sipas padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë më 21 shkurt 2018, paditësi Aziz Gjakova, po kërkon nga e paditura KEDS, kompensim dëmi material, në vlerë prej 20 mijë euro, për shkak të dëmit të pësuar në banesën e tij, nga shpërthimi i zjarrit.

Në padi thuhet se me 8 janar 2017, rreth orës 22:00, në Pejë, në banesën e këtu paditësit, ka shpërthyer zjarrit, me ç’ rast është djegur e tërë banesa, përfshirë të gjitha orenditë, veshmbathjet dhe pajisjet e tjera.

Tutje në padi thuhet se shkaktar i djegies së banesës ka qenë rryma elektrike, ku në natën kritike tensioni i rrymës nuk ishte fare stabil dhe lidhur me shkaktarin e zjarrit, ekspertët kanë konstatuar se zjarri ka ardhur si pasojë e mbi tensionit të brendshëm të paraqitur me rastin e ndaljes dhe ardhjes së rrymës elektrike. /BetimipërDrejtësi

Andaj  paditësi Aziz Gjakova, përmes kësaj padie, po kërkon nga KEDS, kompensimin e dëmit material në vlerë prej 20 mijë euro dhe atë me kamatë ligjore deri në pagesën definitive. /BetimipërDrejtësi