Paditësi mungon pa arsye, konsiderohet e tërhequr padia ndaj KEK

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë- Për shkak se paditësi Nexhat Osmani mungoi pa arsye në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është konsideruar e tërhequr padia e tij ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me të cilën ka kërkuar kompensim të pagave.

Gjyqtarja Fatbardha Uka–Ibrahimi ka njoftuar se për paditësin Osmani nuk prezanton askush edhe pse nga shkresat e lëndës ka rezultuar se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe i ka pranuar shkresat, por mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, përfaqësuesi i të paditurës KEK, Izet Rexha, i propozoi gjykatës që ta konsiderojë të tërhequr padinë, pasi që paditësi Osmani nuk prezantoi në seancë.

Pas këtij propozimi, gjykatësja Uka- Ibrahimi konform Ligjit për procedurë kontestimore, e ka konsideruar të tërhequr padinë ndaj të paditurës KEK.

Ndryshe, sipas padisë së 22 korrikut 2019, paditësi Nexhat Osmani ka ushtruar padi ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.a (KEK), ku ka kërkuar që t’i kompensojë kamatën për periudhën kontestuese, sipas ekpertizës financiare të ekspertit Aziz Berisha, duke bërë edhe plotësimin për periudhën e papërcaktuar deri në pagesën e plotë.

Sipas padisë, fillimisht paditësi Osmani ka pasur cilësinë e punëtorit me kohë të pacaktuar te e paditura KEK, por më pas me vendimin e Komisionit Disiplinor të kësaj të fundit, i njëjti ishte shpallur përgjegjës për kryerje të shkeljes së rëndë të kryerjes së punës dhe më pas i ishte shkëputur kontrata e punës.

Në padi thuhet edhe se paditësi Osmani kishte ushtruar të gjitha mjetet juridike në drejtim të anulimit të procedurave të ndërprerjes së punës dhe vërtetimit të pafajësisë.

Lidhur me këtë, në padi thuhet se kishin vazhduar proceset gjyqësore, duke u rikthyer në riprocedurë nga organi i shkallës së dytë e së fundi nga Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e vitit 2016 ishin anuluar të gjitha vendimet kontestuese për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe e ka obliguar të paditurën që ta kthejë në punë paditësin Osmani.

Më pas, në padi thuhet se Gjykata Supreme duke vendosur sipas revizionit të të paditurës, me aktgjykimin e vitit 2018 kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të shkallës së dytë, për kthimin në punë, mirëpo sa i përket shpenzimeve procedurale ka konstatuar t’i kthehet shkallës së parë në rigjykim.

Ndërsa, sipas padisë kur është përsëritur gjykimi, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte njohur bazën e kërkesëpadisë, duke e njohur edhe pjesën e kompensimit të pagave, mirëpo nuk i ishte njohur pjesa e kërkesë për kompensimin e kamatës sipas ekspertizës financiare.

Kurse, në përgjigjen në padi, e paditura e ka kontestuar bazën e kërkesëpadisë dhe ka kërkuar nga gjykata që ta hudhë poshtë si të pabazuar, me arsyetimin se pasi që paditësi nuk ka bërë plotësimin e aktgjykimit në afat prej 15 ditësh siç parashihet me ligj, konsiderohet se padia është tërhequr. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë