Paditësi kundërshton vendimin e MPMS-së, kërkon t’i njihet e drejta e pensionit

Rasti i Sinan Vershevci 08.11.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Me kërkesën që të anulohet vendimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), me të cilin i ishte refuzuar kërkesa për pension, Skender Vershevci, ka paraqitur padi në Departamentin Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vershevci, në seancën e mbajtur të enjten, në të cilën u shqyrtua kërkesëpadia e bërë në vitin 2016, ka kërkuar që t’i njihet e drejta në pension, pasi që ka probleme shëndetësore dhe që gradualisht, sipas tij, gjendja po i keqësohet.

Ai, në seancën që u mbajt pa praninë e të paditurës MPMS, te gjykatësja e rastit Luljeta Maxhuni, tha se kërkon vetëm drejtësi nga gjykata dhe që vendimi i të paditurës të anulohet.

Ndryshe, e paditura Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me anë të një parashtrese të dërguar më 6 nëntor, kishte deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancë, ndërsa përmes përgjigjes në padi të bërë më 10 tetor të vitit 2017, kishte kërkuar që palës paditëse t’i refuzohet kërkesa për pension.

Kjo ministri, më 25 qershor 2015, kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit Skender Vershevci, me pretendimin se nuk i kishte plotësuar kushtet për të fituar të drejtën e pensionit.

Aty thuhej se Vershevci, sipas dokumentacionit mjekësor që ka prezantuar në komisionin mjekësor, nuk kishte pas dëshmi të mjaftueshme për të qenë fitues i kësaj të drejte.

Ndërsa, Vershevci më 4 qershor 2015 kishte paraqitur ankesë në këshillin e ankesave për pensione për persona me aftësi të kufizuara në kuadër të MPMS-së, mirëpo të njëjtit nuk iu ishte aprovuar  kjo ankesë.

Andaj, në pamundësi të realizimit të kësaj të drejte, i njëjti më 6 qershor 2016, ka paraqitur padi me kërkesën që të anulohet vendimi në fjalë dhe që të njëjtit t’i njihet e drejta në pension.