Paditësi kërkon t’i njihet e drejta e pronësisë, caktohet të bëhet identifikimi i pronës kontestuese

GJTHP 14 nentor
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 14, 2019

 

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të enjten, është mbajtur gjykimi për vërtetim pronësie, ku Shaban Muriqi, i ka paditur Artan dhe Arian Kastratin.

Lidhur me këtë çështje, Muriqi ka ushtruar padi më 25 mars 2016, me të cilën po kërkon t’ i njihet e drejta e pronësisë mbi ngastrën kadastrale, të cilën pretendon se e ka blerë në vitin 1976, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën përgatitore, paditësi ka deklaruar që mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke   kërkuar nga gjykata që të dilet në vend ngjarje, me qëllim të identifikimi të ngastrës kadastrale.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi përfaqësuesi i të paditurve, Dren Kastrati, i cili deklaroi që është e vërtetë që para shumë kohësh toka i është shitur tani paditësit.

Më pas, gjyqtarja e çështjes, Merita Baloku, mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e paditësit Muriqi, kurse seancën e radhës e caktoi më 4 prill 2020, në ora 13:30, për kur u vendos të dilet në terren me ekspertin e gjeodezisë, Faruk Hyseni.

Sipas padisë së ushtruar më 25 mars 2016, në Gjykatën Themelore në Pejë, paditësi Shaban Muriqi, i ka paditur Artan dhe Arian Kastrati, duke kërkuar që të njëjtit t’ia njohin të drejtën e pronësisë mbi ngastrën kadastrale me nr.4480/0, në sipërfaqe prej 34 ari, e cila gjendet në zonën kadastrale në Pejë.

Në padi thuhet që paditësi në vitin 1976, paditësi këtë pronë e ka blerë nga të paditurit, dhe për të ka paguar rreth një milion dinar, dhe menjëherë e ka futur në posedim, por pasi që prona ende nuk evidentohet në emrin e tij, me anë të kësaj padie, kërkon nga paditësit t’ia njohin të drejtën e pronësisë. /BetimipërDrejtësi