Paditësi kërkon të njihet si pronar i parcelës, pasi pretendon se gabimisht është regjistruar në emër të të paditurit

68840329_2397522937158487_6056009114058752000_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Gusht 13, 2019

Ferizaj – Me pretendimet se ai është pronar i parcelës kontestuese, Branislav Stevanoviq, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga e cila kërkon t’i njihet e drejta e pronësisë.

Për këtë, ai në maj të vitit 2014, ka ushtruar padi kundër Stanislav Stevanoviq, me pretendimin se është pronar i patundshmërisë në fshatin Zaskok të Ferizajt, ku sipas tij, gabimisht kjo pronë ishte evidentuar në emër të tani të paditurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbajtur seanca përgatitore, ku paditësi po kërkon vërtetimin e të drejtës së pronësisë.

Në fillim të seancës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Bekim Sylejmani, ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e padisë dhe kërkesëpadisë, pasi që ai deklaroi se ka kuptuar që ekziston edhe një kontratë e shitblerjes e realizuar nga Milovoja Stankoviq dhe i padituri Stanislav Stevanoviq.

“Tash e tutje i paditur do të jetë edhe Milovoja Stankoviq, pasi që në mes të dy të paditurve është lidhur kontratë formale e shitblerjes, sepse parcela në fjalë gjithnjë i ka takuar familjes Stevanoviq. Gjithashtu ne bëjmë edhe ndryshimin e  kërkesëpadisë ku kërkojmë të anulohet kontrata e shitblerjes e datës 29 maj 2012”, tha avokati Sylejmani.

Ndërsa, përfaqësuesi i përkohshëm i të paditurit Stevanoviq, avokati Kemajl Ademaj, ka thënë se nuk e kundërshton propozimin e përfaqësuesit të paditësit, duke i lënë gjykatës të vlerësojë propozimet e tij.

Gjyqtari i çështjes, Ardian Ajvazi, aprovoi propozimin e avokatit Sylejmani për ndryshimin e padisë, ndërsa seancën e radhës e caktoi më 23 shtator 2019, duke filluar nga ora 14:30.

Branislav Stevanoviq, më 7 maj 2014, e ka paditur Stanislav Stevanoviq, pasi po pretendon se ai  është pronar i patundshmërisë, ngastrës kadastrale me numër 458/1, në Zaskok, Komuna e Ferizajt, e cila evidentohet në emër të tani të paditurit.

Në padi thuhet se gabimisht kjo parcelë evidentohet në emër të të paditurit Stevanoviq, pasi që gjithnjë kjo parcelë ka qenë në pronësi të paditësit, i cili e ka punuar dhe ka përfituar frytet pa kurrfarë pengese.

Sipas padisë, pretendohet se paditësi deri më tani nuk e ka ditur që parcela e tij evidentohet në emër të tjetërkujt, andaj me të kuptuar ka biseduar me të paditurin për këtë çështje, mirëpo që thuhet se ai kishte hezituar të vijë në Kosovë për të bartë këtë paluajtshmëri  në emër të paditësit dhe të njëjtën në mënyrë gojore nuk e ka mohuar.

Andaj, me kërkesëpadi, paditësi Branislav Stevanoviq, po kërkon nga gjykata që të vërtetohet se ai është pronar i kësaj prone, dhe të detyrohet i padituri që atij t’ia njohë këtë të drejtë dhe paditësit t’ia kthej atë në pronësi, si dhe të paguajë shpenzimet procedurale. /BetimipërDrejtësi