Paditësi kërkon të kompensohet rreth 5 mijë euro për lëndimet që thotë se i ka pësuar në aksident trafiku

unnamed (3)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Dhjetor 13, 2019

Prishtinë – Paditësi Regjep Salihi, po kërkon 4,726 euro, kompensim dëmi nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), për aksidentin që kishte ndodhur në prill të viti 2014, në rrugën Prishtinë-Gjilan.

Me pretendimin se nga ky aksident, ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore, e ka paditur BKS-në nga e cila kërkon që të kompensohet për dëmin material dhe jo material.

Lidhur me këtë rast, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, në të cilën përfaqësuesi e paditësit, avokati Bajram Azemi, i ka propozuar gjykatës që të bëhet ekspertizë mjekësore nga lëmia e ortopedisë-traumatologjise, psikiatrisë dhe ajo e stomatologjisë.

Ai tha që detyrë e ekspertëve do të jetë që të deklarohen për natyrën e lëndimeve trupore dhe frikën e përjetuar që e ka pësuar paditësi në aksident komunikacioni, si dhe të njëjtit siç tha ai, do të deklarohen edhe për format e dëmeve materiale dhe jo materiale.

Ndërsa, për ekspert ai i ka propozuar gjykatës që të caktohet Dr. Milazim Haxholli, ortoped, Dr. Samire Braina, psikiatre, ndërsa për ekspert të stomatologjisë i njëjti ia ka lënë në vendosje gjykatës.

Mirëpo, përfaqësuesi i të paditurës e ka kundërshtuar një propozim të tillë me arsyetimin se të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv në këtë procedurë.

Ai tha se në bazë të raportit të aksidentit dhe ekspertizës së komunikacionit nga procedura penale, rezulton se automjeti “A”, ka qenë i siguruar te kompania e sigurimeve “Sigma”, ndërsa automjeti “C”, tek kompania e sigurimeve “Insig”, ndërsa paditësi sipas tij, ka qenë me sigurim kufitar të BKS-së.

Gjithashtu, ai tha se në kohën e zhvillimit të procedurës për kompaninë e sigurimeve “Insig” ishte hap procedura e falimentimit, mirëpo siç tha ai, në bazë të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), BKS-ja, obligohet të paguajë vetëm dëmet nga data 20 maj 2019, ku sipas tij ishte hap procedura e falimentimit për këtë kompani.

Ndërsa, për aksidentet e ndodhura para kësaj date ai tha se BKS-së i mungon legjitimiteti pasiv, dhe e njëjta siç tha ai, s’mund të jetë palë në procedurë.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditësit Azemi, tha se fillimisht paditësi i ishte drejtuar BKS-së, në procedurë administrative me kërkesë për kompensim dëmi, ku siç tha ai, e njëjta e kishte pranuar përgjegjësinë më 23 prill 2015, dhe paditësit i kishte ofruar ofertën për natyrën e lëndimeve.

Sa i përket procedurës penale, në të cilën është thirr pala e paditur në përgjigje në padi, ai tha se do të kujdeset që të sigurojë aktgjykimin penal për rastin në fjalë ku me një parashtresë tha se do t’ia dorëzojë gjykatës.

E nëse rasti nuk ka përfunduar në procedurën penale, ai tha se do ta njoftojë gjykatën dhe do t’i propozojë që kjo çështje kontestimore të zgjidhet me ekspertizë në procedurë civile nga lëmia e komunikacionit.

Pas kësaj, gjykatësi Enver Shabanaj, tha se pas plotësimit të provave nga përfaqësuesi i paditësit do të vendos për nxjerrjen e provave përmes ekspertizave mjekësore.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 9 korrik 2015, paditësi Regjep Salihi, po kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, kompensimin e dëmit material dhe jo material për aksidentin në trafik shumën prej 4,726 euro, dhe atë me kamatë ligjore prej 8%.

Sipas padisë, më 24 prill 2014, në rrugën Prishtinë-Gjilan, është shkaktuar aksident trafiku në të cilin lëndime të rënda trupore ka pësuar paditësi Regjep Salihi, i cili ishte duke e drejtuar automjetin ”Ford Mondeo”, ku papritur automjeti “VW LT”, ngasësi i të cilit nuk ka mbajtur distancën e duhur në mes automjeteve, me ç’rast godet nga mbrapa automjetin e paditësit Salihi.

Me anë të kësaj padie, ai po kërkon nga gjykata që ta detyrojë BKS-në, që atij t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material të shkaktuar nga aksidenti i ndodhur në prill të viti 2014. /BetimipërDrejtësi