Paditësi kërkon që përveç pensionit të invalidit të luftës t’i njihet edhe ai kontributdhënës

viber_image_2020-01-13_13-17-31
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 13, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Kapllan Tahiraj, ka iniciuar konflikt administrativ ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), nga e cila kërkon që përveç pensionit të invalidit të luftës, atij t’i njihet edhe ai kontributdhënës.

Me pretendimin se pasi paditësi kishte qenë përfitues i pensionit të invalidit të luftës, në vitin 2017e paditura atij ia kishte ndërprerë pensionin kontributdhënës të moshës, pasi sipas kësaj ministrie, tani paditësit, nuk mund t’i takojnë dy pensione.

MPMS-ja vendimin e saj e ka bazuar në Ligjin për Skemat Pensionale, i cili sipas saj, parasheh se përfituesit e cilitdo pension nga skemat pensionale, në asnjë rrethanë nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta.

Përkundër kësaj, paditësi kërkon anulimin e këtij vendimi, duke insistuar që t’i njihet pensioni për kontributin që kishte dhënë në punë ndër vite.

Ai po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative që ta anulojë vendimin e atakuar dhe atij t’i njihet e drejta edhe në pensionin kontributdhënës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 26 maj 2017, paditësi Kapllan Tahiraj kishte iniciuar konfliktin administrativ, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative.

Nga kjo gjykatë, ai kishte kërkuar që vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ta anulojë si të kundërligjshëm, dhe të njëjtën ta obligojë që përpos pensionit të invalidit të luftës, t’i njihet edhe pensioni kontributdhënës i moshës.

Ndërkaq, e paditura më 4 maj 2017, paditësit i kishte refuzuar ankesën me të cilën ai kishte kërkuar që t’i njihet e drejta në pensionin kontriutdhënës, me arsyetimin se bazuar në dispozitat ligjore, i njëjti nuk mund t’i gëzojë dy pensione. /Betimipërdrejtësi