Paditësi kërkon përjashtimin e Gjykatës së Kamenicës në rastin ku ai po kërkon afër 100 mijë euro kompensim dëmi nga i padituri

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Paditësi S.Sh., ka kërkuar që Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, mos ta gjykojë rastin ku ai po kërkon nga A.Sh., 98 mijë euro kompensim për dëmin që ky i fundit ia kishte shkaktuar atij sa ishte menaxher i N.SH “Pishina Shkodra” në Kamenicë.

Një kërkesë të tillë, paditësi S.Sh. e ka bërë të hënën përmes përfaqësuesit të tij ligjor, Besim Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi Osmani ka deklaruar se padia në Gjykatën e Kamenicës është dorëzuar në vitin 2012 dhe kanë kaluar thuajse 10 vite dhe kjo gjykatë ende nuk ka nxjerrë vendim lidhur me padinë e paditësit.

“Në fakt ky proces është shoqëruar edhe me veprime të cilat i kanë kontribuar zvarritjes së procedurës gjyqësore. Në disa raste, kjo gjykatë edhe nëpërmjet ish-gjyqtarit ka ndërmarrë edhe veprime për të cilat nuk ka qenë kompetent në pikpamje lëndore siç është rasti për vendimin për caktimin e masës së përkohshme të datës 1 gusht 2014, e të cilat kanë kontribuar zvarritjes së këtij procesi gjyqësor”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, seanca e fundit gjyqësore është mbajtur në muajin korrik të vitit 2016 dhe deri sot kanë kaluar thuajse gjashtë vite derisa është caktuar seanca tjetër gjyqësore.

“Ne personalisht nuk kemi vërejtje ndaj gjyqtarit aktual të çështjes, ngase zvarritja e rastit ka ndodhë në kohën kur gjyqtarë pranë kësaj gjykate kanë qenë gjyqtarë të tjerë”, ka thënë tutje përfaqësuesi Osmani.

Ai ka kërkuar që Gjykata e Kamenicës të përjashtohet nga gjykimi i këtij rasti dhe rastin në fjalë ta trajtojë Gjykata e Vitisë ose ajo e Novobërdës.

Lidhur me këtë kërkesë, mbrojtësi i të paditurit A.Sh., avokati Ymer Hurglica ka thënë se një kërkesë e tillë nuk gjen mbështetje në dispozitën e nenit 67 të LPK-së, ngase sipas tij nëse kërkohet drejtpërdrejt përjashtimi i gjyqtarit të çështjes, sipas nenit 69.1, pika “a” e LPK-së, nuk është e lejuar përjashtimi i të gjithë gjyqtarëve të një gjykate pa paraqitur arsye për secilin gjyqtar të asaj gjykate.

“Përndryshe, shqetësimet që i paraqiti kolegu i nderuar janë shqetësime të garantuara sipas Konvetës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë avokati Huruglica.

Më pas, gjykatësi Artan Abazi ka marrë aktvendim që kjo çështje të ndërpritet konform nenit 70, paragrafi 1 të LPK-ë, pasi që është paraqitur kërkesa e përjashtimit të Gjykatës së Kamenicës për gjykimin e këtij rasti.

“Kjo çështje do të rifillojë pasi që kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan do të vendoste që kjo gjykatë të vazhdojë me gjykimin e kësaj çështje”, deklaroi gjykatësi Abazi.

Ndryshe, paditësi S.Sh., në nëntor të 2012-ës, ka paditur A.Sh., me arsyetimin se N.Sh “Pishina Shkodra” në Kamenicë, është themeluar në vitin 2001 nga ai dhe M.Sh., të cilët i kanë bërë të gjitha investimet. Në padi thuhet se për shkaqe praktike pasi paditësi nuk ishte në Kosovë, së bashku me M.Sh. kishin vendosur që formalisht pronar të jetë i padituri A.Sh. deri në vitin 2008, i cili do të merrej me punët menagjeriale në pishinë.

Në padi thuhet se më 26 tetor 2008, sipas kontratës për falje pronar të pishinës edhe në aspektin formal ishin bërë paditësi S.Sh. dhe M.Sh. kurse, pas vitit 2008 paditësi dhe M.Sh. ishin marrë vesh që menaxhimin e pishinës për vitin 2009 ta bëjë M.Sh. ndërsa për vitet 2010 dhe 2011 ajo të bëhej nga B.Sh., ndërkaq, në vitin 2012 ky menaxhim i pishinës ishte bërë nga i padituri, por që me marrëveshje që bashkëpronarët t’i raportonin njëri-tjetrit për të hyrat dhe dalurat në pishinë.

Tutje, në padi pretendohet se gjatë kohës sa pishina ka qenë nën menagjimin e të paditurit, ky i fundit kishte bërë shkelje të shumta duke i shkaktuar dëmë material pishinës dhe pronarit të saj, paditësit. Kjo pasi i padituri pa pëlqimin e paditësit në vitin 2008 kishte blerë pllaka për restorant, për 290 sosh në vlerë prej 3 mijë e 480 euro, duke paguar 580 euro më tepër sesa vlera reale e tregut.

Me padi, paditësi pretendon se për armaturën dhe betonin e blerë nga i padituri për lokalin tek pishina nuk është prezantuar asnjë dëshmi, duke i shkaktuar dëm paditësit prej 1 mijë e 200 euro, ndërsa në vitin 2005 është ndërtuar një restorant tek pishina me vlerën e kostos sipas të paditurit prej 150 mijë euro, pa prezantuar asnjë dëshmi për këtë, ndërsa vlera e saktë duhej të ishte rreth 120 mijë euro.

Tutje, në padi, paditësi pretendon se në maj të 2008-ës i padituri pa autorizimin e paditësit i ka marrë 350 kilogramë armaturë nga pishina dhe i ka dërguar në shtëpinë e tij, në vlerë prej 1 mijë e 300 euro, e po ashtu i padituri pa autorizimin e paditësit ka rrënuar kafenenë e ndërtuar tek pishina duke shkaktuar dëm 25 mijë euro, ndërkaq në vitin 2011 i padituri në mënyrë të paautorizuar i kishte marrë shumën prej 200 euro një personi duke u prezantuar si pronarë i pishinës, kjo në emër të paradhënies për organizimin e dasmës tek Pishina “Shkodra”.

Paditësi po pretendon se në vitin 2005 i padituri ishte dashur të paguajë rreth 500 euro si dëmshpërblim të një dasme dhe s’e ka bërë, kurse në vitin 2008 gjashtë shporeta rreth 1 mijë e 500 euro janë marrë në mënyrë të paautorizuar nga i padituri, kurse në shtator të këtij viti ai në mënyrë të paautorizuar në oborrin e paditësit i ka marrë disa makina në vlerë prej 2 mijë e 400 euro. Ndërsa, në vitin 2012 i padituri paautorizim ka tërhequr nga buxheti i pishinës shumën prej 540 euro.

Tutje, në padi thuhet se nga viti 2005 deri në vitin 2008, i padituri nuk i ka regjistruar në llogarinë e pishinës asnjë nga kanaçet e shitura, ndërsa deri në vitin 2008 i padituri asnjëherë nuk ka prezntuar hyrje-daljet në mënyrë reale, ndërsa nga viti 2009 fitimi për çdo vit ka arritur deri në 4 mijë e 319 euro. Po ashtu, paditësi pretendon se për shkak të menaxhimit jo të mirë nga i padituri është dashur të paguajë një gjobë prej 700 euro.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi në vitin 2001 kishte blerë nga M.R. një aparat të kafesë në shumë prej 600 markave gjermane, po ashtu më 2009 kishte blerë edhe një aparat tjetër kafeje në vlerë prej 1 mijë e 350 euro, ndërsa për to i padituri deklaron se gjenden në bodrumin e R.Sh. por që kjo sipas paditësit nuk është e vërtetë.

Në padi thuhet se paditësi në vitin 2006 ka blerë një pëlhurë për video prej 150 euro, ndërsa në vitin 2012 një pëlhurë e tillë nuk ekziston, duke mos marrë asnjë raport nga i padituri lidhur me të. Ndërsa në vitin 2007 i padituri me paratë e paditësit i ka rregulluar karrigat e drurit në vlerë prej 2 mijë e 300 euro dhe në vitin 2008 këto karriga i ka marrë në mënyrë të paautorizuar. Ndërsa më 2010 paditësi, ka qenë i detyruar ta kryejë pagesën prej 1 mijë e 500 euro ndaj një kompanie për punët e kryera në restorant edhe pse paratë janë marrë nga i padituri por që nuk është paguar kompania përkatëse.

Në vitin 2006, paditësi pretendon se ka blerë një aparat për limonata në shumë prej 600 euro por që ky aparat nuk gjendet më në pishinë, ndërsa në vitin 2009 paditësi kishte blerë gjsashtë rrota dhe dy plugji për zbukurimin e ambientit të pishinës dhe këto pajisje i padituri në mënyrë të paautorizuar i tërheq dhe nuk i kthen më në pishinë, vlera e tyre 500 euro.

Sipas padisë, në sezonën e vitit 2012 restoranti i pishinës ka mbetur pa kuzhinier dhe i padituri si menaxher ishte përgjegjës, dhe se nga mungesa e kuzhinierit dëmi ka arritë vlerën prej 1 mijë euro, kurse po këtë vit i padituri ka raportuar numër më të madh të punëtorëve që është kryer pagesë prej 525 eurove, ndërsa në vitet 2009 – 2011 numri i punëtorëve ka qenë më i vogël dhe pse pishina ka punuar më gjatë.

Bazuar në padi, në vitin 2012 në mënyrë të kundërligjshme dhe të paautorizuar i padituri e rritë pagën e tij, ndërkaq gjatë viteve 2001 – 2008 i padituri kishte raportuar shifra marramendëse të klorit të përdorur për pishinë, dëmi në këtë rast arrin shumën 20 mijë euro.

Po ashtu, thuhet se i padituri në emër të pastrimit të çarçafëve kishte marrë 500 euro kinse t’i bëhet pagesa S.D., por që këto para i ka përvetësuar. Gjithashtu, në vitin 2008 në mënyrë të paautorizuar i padituri ka marrë katër kamioneta dërrasa në vlerë prej 400 euro.

Andaj, për të gjitha këto paditësi po kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin që atij në emër të kompensimit të dëmti t’ia paguajë shumën prej 98 mijë euro, si dhe shpenzimet e procedurës gjyqësore. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë