Paditësi kërkon njohjen e statusit të invalidit të luftës, thotë se komisioni vlerësues mjekësor i MPMS-së e kishte pyetur vetëm se kë e kishte pasur komandant

Author

Raporton: Premton SADIKU

Gusht 13, 2021

Prishtinë – Paditësi Bajram Kelmendi ka thënë se me rastin e vlerësimit nga Komisioni Mjekësor i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ishte pyetur vetëm se kë e kishte pasur komandant gjatë luftës.

Këtë deklaratë, paditësi Kelmendi e ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai po kërkon nga Departamenti për Çështje Administrative i kësaj gjykate anulimin e vendimit të MPMS-së me të cilin i është refuzuar statusi i invalidit të luftës.

Pas leximit të padisë dhe përgjigjes në padi, paditësi Kelmendi deklaroi se i është bërë e padrejtë nga ana e komisionit mjekësor vlerësues, andaj kërkoi nga gjykata që të anulohet vendimi dhe lënda të shkojë në rivendosje, me arsyetimin se gjatë vlerësimit të komisionit as që i është shikuar gjendja fizike në përputhje me dokumentet mjekësore të paraqitura.

“Vetëm më kanë pyet kon e ke pas komandant dhe nuk ka zgjat as 1 minutë krejt”, tha ai.

Pas administrimit të provave, paditësi në fjalën e tij përfundimtare kërkoi që të anulohet vendimi i MPMS-së si dhe t’i njihen shpenzimet procedurale.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 23 janar 2019, Bajram Kelmendi e ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar si e pabazuar.

Siç thuhet në padi, vendimi i MPMS-së është i pabazuar sepse i njëjti është në kundërshtim me Ligjin nr.04/L-054, dhe sipas tij ai i përmbush kriteret për të qenë invalid i luftës.

Sipas vendimit të MPMS-së, paditësit i është refuzuar si e pa bazuar ankesa, me arsyetimin se nuk është vepruar në bazë të nenit 5, paragrafi 1.2.1, nenit 9 dhe 10 të Ligjit nr.04/L-054.