Paditësi kërkon nga Telekomi i Kosovës kompensimin e diferencës në pagë, e paditura e kundërshton

03.03.2021 (2)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI GRAJҪEVCI

Prill 6, 2021

Prishtinë – Me pretendimin se në kundërshtim me ligjin iu është zbritur grada nga 15 në 12, paditësi Bislim Fetahu në vitin 2016 e ka paditur Telekomin e Kosovës, nga e cila po kërkon kompensimin e diferencës në pagë.

Lidhur me këtë rast, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, paditësi Fetahu e ka precizuar kërkesëpadinë, ashtu që është tërhequr prej kërkesës që e paditura ta kthej në pozitën e më hershme para datës 2 shtator 2015, si dhe ka qëndruar pranë kërkesës për kompensimin e diferencës në paga prej 2 shtator 2015 e deri më 28 gusht 2020.

Tutje Fetahu ka thënë se, deri më datën 2 shtator 2015 ka qenë në vendin e punës me pozitë të  menaxherit për planifikim strategjik dhe zhvillim të Telekomit dhe sipas këtyre kontratave e ka pasur pagën mujore me gradën 15.

Tutje ai ka shtuar se, me 2 shtator 2015 ishte caktuar në vendin e punës si koordinator i produkteve mixe dhe me pagë mujore me gradën 12, për të cilën kontratë ai ka thënë se ishte nënshkruar edhe nga ana e tij edhe nga ana e Telekomit.

“Kjo kontratë ka qenë me afat një vjeçare dhe kontratat tjera pas kësaj është lidhur tjetër në vitin 2016 me afat 3 vjeçar me pagë nga grada 12, edhe këto dy kontratat tjetra pas vitit 2015 janë nënshkruar nga ana ime dhe nga ana Telekomit”, ka thënë paditësi Fetahu.

Po ashtu Fetahu ka thënë se, kontratat e nënshkruara gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2019 i ka nënshkruar pa dëshirën e tij, me arsyetimin se nuk ka pasur zgjedhje tjetër.

“Sa i përket zbritjes së gradës unë mendoj se këto lidhen me faktin se unë kam pasur tjetër mendim sa i përket rrjedhave të Telokomit në kahje dhe zhvillimi dhe nga pozita ime kam dhënë mendimin tim, dhe me që se mendimi im nuk është përfillur, atëherë mendoj se kjo ka mundur të jetë si shkak që mu mund të më dëmtojnë me paga mujore”, ka shtuar paditësi në fund të deklarimit të tij.

Kurse, përfaqësuesi i të paditurës Gazmend Mehmeti ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi, si dhe ka thënë se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit, duke kërkuar nga gjykata që pas administrimit të provave të njëjtën ta refuzoi si të pa bazuar.

Tutje, ai ka thënë se kontrata e 2 shtator 2015 dhe kontratat i kanë lidhur palët me vullnetin e lirë, respektivisht paditësi dhe e paditura janë pajtuar me kushtet e kontratës.

Ai ka konsideruar se, vullneti i lirë i palëve është një ndër kushtet esenciale për lidhjen e një kontratë, e në këtë rast paditësi dhe e i padituri janë pajtuar në tërësi me kushtet e kontratës.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit Enver Shabanaj ka deklaruar se seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 7 maj 2021, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 2 shtator 2016, paditësi Fetahu po kërkon nga Telekomi i Kosovës kompensimin e diferencës në pagë ndërmjet gradës 15 dhe 12.

Në padi pretendohet se, në kundërshtim me ligjin e paditura paditësit ia ka zvogëluar gradën nga 15 në gradën 12.

Siç thuhet në padi, paditësi ka lidhur kontratë pune 30 qershor 2014, në pozitën e menaxherit për planifikim strategjik dhe zhvillim, por të njëjtit thuhet se iu është ndërruar pozita në koordinator i produkteve mixe, dhe iu është zvogëluar grada nga 15 në 12, me arsyetim për ristrukturim dhe harmonizim të gradave.

Tutje në padi thuhet se, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë të paditurës, por kjo e fundit nuk kishte kthyer përgjigje.

Prandaj, me anën e kësaj padie paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia e tij të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj ndryshimin e pagës nga grada 15 në gradën 12 në shumë prej  575.31 euro për çdo muaj dhe atë duke filluar nga paga e muajit shtator të vitit 2015 dhe në muajt në vazhdim, si dhe kontributet tjera pensioanle. /BetimipërDrejtësi