Paditësi kërkon nga KGJK-ja mbi 85 mijë euro pasi qëndroi tri ditë në paraburgim, e paditura e kundërshton

A Gjykata (2)
Author

Raporton: Valentina – SHAHINI GRAJҪEVCI

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Me pretendimin se gjatë qëndrimit në paraburgim prej tre ditëve është lënduar fizikisht dhe është maltretuar nga zyrtarët policor hetues, paditësi Azem Haxholli po kërkon nga e paditura Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 85,150.00 euro.

Në padi thuhet se, paditësi më 13 janar 2010 ishte arrestuar dhe të njëjti i’u ishte caktuar paraburgimi nën dyshimin për veprat penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, si dhe “mbajtja në pronësi, në posedim dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Bazuar në padi, ish-Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë me aktvendimin e datës 22 mars 2011, e kishte hedhur kallëzimin penal ndaj tani paditësit në këtë kontest, me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprat penale.

Lidhur me këtë rast, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, paditësi në këtë seancë ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj, si dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si e bazuar.

Pas kësaj, Gjykatësja e rastit Mihane Ismajli komform dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontesitmore (LPK-së), e ka udhëzuar paditësin që ta bëjë rregullimin e  padisë në aspektin subjektiv, brenda afatit prej shtatë ditëve.

Tutje, gjykatësja Ismajli e ka njoftuar palën paditëse se në rast se padia nuk rregullohet brenda afatit të përcaktuar nga gjykata, e njëjta do të konsiderohet e tërhequr, si dhe po që se nuk bëhet precizimi i duhur e njëjta do të hedhet poshtë si e palejueshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i KGJK-së, Besim Mustafa e ka  kundërshtuar në tërësi padinë e paditësit me pretendimin se e paditura nuk ka legjitimitet real të palës në këtë procedurë.

Tutje, Mustafa ka pretenduar se sipas shkresave të lëndës KGJK-ja me asnjë veprimi paditësit nuk i ka shkaktuar dëm.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 31 tetor 2011, paditësi për qëndrimin e kundërligjshëm në paraburgim po kërkon nga KGK-ja, kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumë prej 85,150.00 euro.

Në padi thuhet se, paditësi më 13 janar 2010 ishte arrestuar dhe të njëjti i’u ishte caktuar paraburgimi nën dyshimin për veprat penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, si dhe “mbajtja në pronësi, në posedim dhe shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”.

Bazuar në padi, ish-Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë me aktvendimin e datës 22 mars 2011, e kishte hedhur kallëzimin penal ndaj tani paditësit në këtë kontest, me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprat penale.

Siç pretendohet në padi, gjatë qëndrimit në paraburgim për tre ditë paditësi kishte pësuar lëndime trupore në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit nga policët hetues, dhe siç thuhet në padi këto lëndime trupore e maltretime kishin pasur për qëllim që ta detyrojnë tani paditësin për pranimin e veprave penale për të cilat ka qenë i dyshuar.

Prandaj, me anën e kësaj padie paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesa e tij të aprovohet e bazuara dhe të detyrohet e paditura KGJK, ta kompensojë dëmin material dhe jo material në vlerë prej 85,150.00 euro. /BetimipërDrejtësi