Paditësi kërkon nga KEDS-i kompensim për mishin e prishur, pasi pretendon se shkaktar ishte ndërprerja e rrymës

fotoja e seances (13)
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Mars 14, 2019

Lipjan – Me pretendimet se për shkak të ndërprerjes së rrymës i ishte prishur mishi në frigorifer, Sefer Krasniqi, në vitin 2014, ka ushtruar padi ndaj kompanisë KEDS.

Me anë të padisë, ai po kërkon të kompensohet në shumë prej 1129 euro.

Lidhur me këtë padi, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, është dhënë fjala përfundimtare e palëve ndërgjyqëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I autorizuari i paditësit Sefer Krasniqi, avokati Jusuf Bytyqi, në fjalën përfundimtare, ka thënë se mbetet pranë padisë, duke ka shtuar se nga provat e administruara, është vërtetuar se paditësi e ka blerë kafshën dhe pasi e ka therur e ka futur në frigorifer, dhe nga 14 korriku, e deri më 20 korrik 2014, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike të njëpasnjëshme, ku si pasojë e kësaj, është prishur mishi.

Bytyqi ka thënë se shkaktimi i dëmit te paditësi është vërtetuar nga analiza fiziko – kimike dhe mikrobiologjike e ushqimit nga qendra e laboratorëve testuese “TIKSHPK”.

Ai ka shtuar se edhe pse e paditura mundohet të paraqesë paditësin si palë pasive në procedurë, sipas tij, kjo është vetëm për t’i ikur përgjegjësisë, sepse njehsori elektrik është i regjistruar në emër të babait të paditësit, dhe paditësi jeton bashkë në të njëjtën shtëpi.

Sipas Bytyqit, e paditura nuk ka ofruar asnjë fakt që e dëshmon kohëzgjatjen e ndërprerjes së energjisë elektrike në kohën kritike, ku sipas tij, padia është e bazuar, duke kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet.

I autorizuari i palës së paditur, Luixh Sereqi, ka thënë se mbetet pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se  konsiderojnë që i njëjti nuk ka legjitimitet për këtë procedurë, sepse njehsori elektrik nuk është i regjistruar në emër të paditësit.

Ai ka deklaruar se për ndërprerjen e energjisë elektrike në atë kohë, të gjithë konsumatorët kanë qenë të informuar përmes mjeteve të informimit, dhe se ka pasur ndërprerje të kohëpaskohshme, mirëpo, sipas tij, këto ndërprerje nuk kanë mundur të ndikojnë te prishja e mishit për arsye se kohë pas kohe ka pasur energji.

Sipas të paditurës, paditësi me asnjë fakt dhe provë nuk e ka dëshmuar se të njëjtit i është shkaktuar dëme.

“Nuk dihet se nga është prishur mishi, sepse paditësi nuk ka ofruar ndonjë provë ku e vërteton se para se të therej demi a e ka kryer inspektimin dhe ekspertizën e veterinarisë, datën e saktë kur paditësi e ka therur demin, a ka raporte nga policia për prishjen e mishit, shkakun e prishjes si dhe sasinë e prishjes. Paditësi nuk e ka siguruar provën me ekspert të pavarur nga Gjykata për prishjen e mishit”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga Gjykata që kjo padi të refuzohet si e pabazuar.

Pasi që palët nuk kanë propozuar ndonjë provë tjetër, gjykatësi kësaj çështje Isa Gashi, i ka njoftuar palët se vendimin lidhur me këtë do t’ua dërgojë në afat ligjor.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 30 dhjetor 2014, paditësi Sefer Krasniqi, thuhet se më 14 korrik 2014, kishte blerë një lopë, me qëllim që ta ther dhe të sigurojë mishin për nevoja të familjes.

Në padi thuhet se pasi që e kishte prerë lopën i njëjti e kishte paketuar në qese të najlonit dhe e kishte futur në frigorifer për ta ngrirë, mirëpo fatkeqësisht, siç thuhet në padi, ato ditë në fshatin Smallushë të Lipjanit, në lagjen ku jetonte paditësi për shkak të ndërrimit të shtyllave elektrike kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike me datat 20, 21, 22, 23, dhe 24 korrik 2014.

Sipas padisë, paditësi kur e kishte parë këtë gjendje të energjisë elektrike me kohë e kishte njoftuar të paditurën që për shkak të këtyre ndërprerjeve, mund t’i prishej mishi, që e kishte në frigorifer, mirëpo e paditura, sipas padisë, e kishte neglizhuar këtë situatë.

Siç thuhet në padi, pas kësaj paditësi kur e kishte hapur frigoriferin e kishte vërejtur se është prishur mishi dhe kishte marrë erë të padurueshme, dhe të njëjtin e kishte dërguar për ekzaminim, në IKSHPK, dhe qendra e laboratorëve të testimit, ku ka konstatuar se mishi është i papërdorshëm.

Sipas padisë, si pasojë e kësaj, paditësi ka pësuar dëme materiale, me ç’rast edhe ka ushtruar padi, ku kërkon nga Gjykata që të detyrohet KEDS-i në Ferizaj që të njëjtit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 1.129 euro, me kamatë vjetore prej 8% si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi