Paditësi kërkon nga i padituri kthimin e borxhit, pasi pretendon se nuk ja ka paguar biletat e aeroplanit për udhëtimin nga Zvicra për në Kosovë

119434536_363262704849107_7029427575476460142_n
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 14, 2020

 

Viti – Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, është mbajtur seanca përgatitore, ku pala paditëse Jakup Sabedini, ka paditur Fran Ferizin për kompensim të dëmit material.

Sipas padisë, i padituri pas marrëveshjes paraprake, ka porositur paditësin që të bëjë sigurimin e tri biletave të aeroplanit për udhëtimin e familjarëve të tij nga Zvicra për në Kosovë. Paditësi pastaj në të njëjtën ditë kishte bërë porosinë dhe pagesën me mjetet e veta financiare të këtyre biletave në shumën prej 480 euro, ku pas kësaj pagese kishte kërkuar nga i padituri që të bëjë kompensim-kthimin e kësaj shume të paguar për këto bileta, por i njëjti nuk e kishte bërë, duke u arsyetuar në mënyra të ndryshme.

Fillimisht në seancën e së hënës, paditësi Jakup Sabedini ka bërë precizimin e padisë sa i përket bazës juridike, ashtu që padia për kompensimin e dëmit material, tani e tutje të konsiderohet si padi për kthimin e borxhit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka deklaruar se në vitin 2015, ka qenë duke e themeluar një agjension turistik, ku i padituri Fran Ferizi, në mirëbesim më 3 qershor 2015, ka porositur paditësin të bëjë sigurimin e tri biletave të aeroplanit për udhëtimin e familjarëve të tij nga Zvicra për në Kosovë, të cilat bileta i janë djegur ngase familjarët e kishin anuluar udhëtimin.

Tutje ka shtuar se disa herë është përpjekur që me biseda miqësore ta zgjidhin këtë kontest dhe paditësi t’ia kthejë borxhin, por që ka qenë e kotë.

Kurse, përfaqësuesi i të paditurit Fran Ferizi, avokati Edison Simani, ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, ngase sipas tij, sot e ka pranuar autorizimin nga i padituri, dhe se nuk posedon asnjë shkresë. Andaj, nga gjykata ka kërkuar që në kuptim të nenit 394 të LPK-së, t’ia dërgojë përgjigjen në padi së bashku me shkresat e tjera të lëndës.

Lidhur me këtë, gjykatës i çështjes Raif Fazliu, me aktvendim ka refuzuar propozimin për shtyrje të seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e sotme konsiderohet si e mbajtur pasi që paditësi është deklaruar për kërkesëpadinë e tij, ndërsa nuk qëndrojnë pretendimet e të autorizuarit të paditurit, se i padituri nuk ka pranuar aktvendimin për përgjigje në padi me shkresat e lëndës, pasi që personalisht i padituri ka dhënë përgjigje në padi në formë të shkruar dhe të njëjtën ia ka dorëzuar gjykatës, andaj konsiderohet se të gjitha provat dhe shkresat e lëndës i posedon i padituri”, ka deklaruar gjykatësi Fazliu.

Seanca e radhës është caktuar për 1 tetor 2020, në ora 10:30.

Ndryshe, me anë të kërkesëpadisë, paditësi Jakup Sabedini po kërkon nga Gjykata që padia ndaj të paditurit Fran Ferizi, të aprovohet si e bazuar, ashtu që të obligohet i padituri, që t’ia kthejë borxhin në tërësi prej 480 euro, me kamatë ndëshkuese duke llogaritur nga 5 qershori 2015, e deri në pagesën definitive, duke përfshirë të gjitha shpenzimet procedurale në afatin e paraparë ligjor, nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Sipas padisë, i padituri Fran Ferizi sipas marrëveshjes paraprake të datës 3 qershor 2015, e ka porositur paditësin që të bëjë sigurimin e tri biletave të aeroplanit për udhëtimin e familjarëve të tij nga Zvicra për në Kosovë.

Në padi thuhet së paditësi në të njëjtën ditë bëri porosinë dhe pagesën e këtyre biletave, me mjetet e veta financiare, në shumën prej 160 euro për një biletë, pra gjithsej shumën prej 480 euro në agjensionin turistik “Gerasup Solutions” shpk, në Prishtinë.

Tutje në padi thuhet së pas kësaj pagese paditësi në disa raste kërkoi nga i padituri që të bëjë kompensim-kthimin e kësaj shume të paguar për këto bileta, por i njëjti asnjëherë nuk e ka bërë këtë pagesë, duke u arsyetuar në mënyra të ndryshme. /Betimipërdrejtësi