Paditësi kërkon nga gjykata ta obligojë MMPH të vendos lidhur me kërkesën e tij ushtruar kundër vendimeve të kësaj ministrie

2 GJ.TH
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 2, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Tomë Gashi po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të obligoj të paditurën Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë (MMPH) të vendosë lidhur me kërkesën e tij të ushtruar ndaj Drejtorisë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Gjatë seancës së mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prezantuan paditësi dhe përfaqësuesi i tij, Agim Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance nuk prezantoi askush nga MMPH, ndonëse të njëjtit ishin ftuar me rregull përmes ftesave zyrtare.

Përfaqësuesi i paditësit deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë së ushtruar pranë kësaj gjykate duke kundërshtuar në tërësi përgjigjen në padi të të dhënë nga e paditura.

Ai i propozoi gjykatës që padinë e paditësit ta aprovoi si të bazuar dhe lëndën ta ktheji në rivendosje.

Pas administrimit të provave, u dha fjala përfundimtare ku përfaqësuesi i paditësit deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë së ushtruar, duke i propozuar gjykatës që të merr aktgjykim me të cilin të aprovoj padinë e paditësit si të bazuar.

Ndryshe paditësi më 25 shtator 2015 kishte ushtruar padi për shkak të heshtjes administrative ndaj MMPH.

Paditësi kishte kërkuar nga gjykata që padia e tij të aprovohet si e bazuar.

Në padi, thuhet se paditësi kërkon nga gjykata të obligoj të paditurën MMPH të vendos lidhur me kërkesën e paditësit të parashtruar pranë Drejtorisë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit. /BetmipërDrejtësi