Paditësi kërkon nga BKS-ja t’i kompensohet dëmi pas aksidentit në trafik

72232270_1151804268346154_3235753512411332608_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 8, 2019

Kamenicë – Bajram Kryeziu po kërkon kompensim dëmi material dhe jo material nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), në rastin e aksidentit në trafik që kishte ndodhur në vitit 2017, në magjistralen Kamenicë – Crep.

Me pretendimin se i janë shkaktuar dëme materiale dhe lëndime trupore, paditësi Kryeziu po kërkon nga BKS-ja, t’ia paguajë shumën në emër të dëmit material 10,500 euro, si dhe në emër të dëmit material shumën 707,10 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të seancës, meqenëse mungonte përfaqësuesi i BKS-së, i autorizuari i paditësit, avokati Shabi Isufi, i propozoi gjykatës që kjo seancë të mbahet, pasi sipas tij dhe sipas njoftimit të gjykatësit Besnik Pireva, e paditura është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ai, gjithashtu ka thënë se mbeten në tërësi në padi dhe kërkesën e saj, si dhe thënieve nga seancat e kaluara.

Seanca e së martës, ka vazhduar me fjalën e ekspertit të psikiatrisë Afrim Cana, i cili ka thënë se mbetet në tërësi në ekspertizën e dorëzuar gjykatës dhe se është i gatshëm për elaborim dhe sqarime eventuale të saj.

Lidhur me këtë, i autorizuari i paditësit, avokati Isufi ka thënë se nuk ka vërejtje në ekspertizën e ekspertit Cana, dhe njëkohësisht ai nuk kishte as edhe ndonjë pyetje për të.

Gjykatësi Besnik Pireva, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 28 tetot 2019, me fillim në ora 13:30, ku me ftesë gjyqësore do të ftohet edhe eksperti i ortopedisë, Abdylatif Latifi.

Bajram Kryeziu, më 25 shtator 2017, e ka paditur Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), me arsyetimin se më 3 mars 2017, rreth orës 10:40, ka ndodhur aksident trafiku, atëherë kur vetura “A” që ishte duke lëvizur në Topanicë të Kamenicës, në drejtim të rrugës regjionale Kamenicë – Crep, me të arritur tek vendi i quajtur “Te Lali”, duke bërë vozitje të pakujdesshme në kryqëzim, gjatë kthimit në të majtë, kalon në shiritin e kundërt, ku me pjesën e parë të anën së majtë, ndeshet me pjesën e parë të anës së djathtë të veturës “B”, e cila ishte duke lëvizur nga rruga regjionale Kamenicë – Crep, në drejtim të fshatit Topanicë.

Sipas padisë, me këtë rast shkaktohet aksident trafiku me dëme materiale dhe lëndime trupore, ku paditësi Bajram Kryeziu, në cilësinë e shoferit, i cili edhe i pëson këto lëndime trupore, urgjentisht dërgohet në Spitalin Regjional të Gjilanit, në Qendrën Emergjente për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në padi thuhet se si pasojë e lëndimeve të pësuara, paditësi është dashur t’i nënshtrohet shpenzimeve në Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitimit “Nëna Naile”, për rehabilitim dhe terapisë fizikale, si dhe shpenzime të tjera mjekësore.

Gjithnjë sipas padisë, duke u bazuar në dispozitat e LMD-së dhe dispozitat e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, paditësi kërkon nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e tij, dhe në emër të dëmit jo material e paditura t’i paguajë atij shumën prej 10,500 euro si dhe në emër të dëmit material, shumën prej 707,10 euro. /BetimipërDrejtësi