Paditësi kërkon kompensim dëmi nga KEK-u dhe KOSTT-i për djegie të pajisjeve shtëpiake

foto 1 (6)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Paditësi Ilaz Rama, po kërkon kompensim dëmi në vlerë prej rreth pesë mijë euro, ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), për shkak të djegieve të pajisjeve shtëpiake.

Në seancën e së enjtes, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i paditësit Rama, avokati Avdi Leci, dhe përfaqësuesi i KEK-ut, Gëzim Berbatovci nuk e kundërshtuan ekspertizën teknike mbi dëmin e shkaktuar dhe përgjegjësinë, e punuar me 27 gusht 2018, nga eksperti i elektroteknikes Ylber Zabergja, i cili kishte konstatuar se përgjegjësia i përkiste të paditurës së dytë KOSTT, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi eksperti Zabergja në ekspertizë kishte vlerësuar dhe llogaritur dëmin që i ishte shkaktuar paditësit Rama, avokati Leci ka kërkuar që i njëjti të ftohet për të dëshmuar, pasi sipas tij, eksperti vetëm mund të konstatonte se në bazë të tensionit-përçuesit elektrik, a i ishte dëmtuar paditësit ora e rrymës.

I njëjti kërkoi që eksperti të jap mendimin lidhur me sendet e luajtshme që ishin specifikuar në padi, se të njëjtat a mund të konsideroheshin se ishin dëmtuar tërësisht apo a mund edhe të riparoheshin.

“Ne kërkojmë që eksperti të prezantojë në seancën e ardhshme për të na sqaruar kompetencën se a i përket të njëjtit për të llogaritur dëmin e paditësit, apo vetëm për të konstatuar dëmet që i janë shkaktuar paditësit”, tha përfaqësuesi i paditësit Rama, avokati Leci.

Ndërsa, në lidhje me rregullimin e padisë në aspektin subjektiv në raport me të paditurën KEK, ai tha se do të deklaroheshin vetëm kur e paditura KOSTT, të deklarohet se a propozonte nxjerrjen e ndonjë prove dhe a e kundërshtonte ekspertizën e elektroteknikës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i KEK-ut Gëzim Berbatovci kërkoi nga gjykata që të refuzojë si të pabazuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit pasi sipas tij, eksperti Zabergja kishte konstatuar se shkaktimi i dëmit tek paditësi bie mbi KOSTT-in.

Për shkak të kësaj, Berbatovci tha se sipas nenit 158, paragrafit 2, të Ligjit të Marrëdhënieve Detyrimore (LMD), e paditura KEK lirohet nga përgjegjësia.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ka prezantuar askush nga KOSTT-i, edhe pse të njëjtit ishin ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, mirëpo mungesën nuk e kishin arsyetuar.

Kështu, propozimi që të ftohet eksperti Zabergja për të dhënë sqarime plotësuese lidhur me ekspertizën e hartuar me shkrim, e ka aprovuar gjykatësi Adnan Konushevci, i cili caktoi seancën e radhës me 18 janar 2019, në ora 9:00.

Paditësi Ilaz Rama, me 13 qershor 2013, kishte ushtruar padi për kompensim dëmi në vlerë prej 4800.00 euro, ndaj KEK-ut dhe KOSTT-it.

Sipas padisë, me 1 maj 2013, pasi ishte shkëputur përçuesi në LP 110 KV, dhe pasi ky përçues kishte rënë në rrjetin e tensionit të ulet, paditësit iu ishin shkaktuar dëm material në orendi shtëpiake si: televizor, lavatriçe, programer të kamerave, shtëpizës së kompjuterit, serverit të të dhënave dhe Klimës.

Në padi thuhet se paditësi Rama me 2 maj 2013, i ishte drejtuar me kërkesë për kompensim dëmi të paditurës, por e njëjta kishte refuzuar që në mënyrë vullnetare t’ia kompensojë dëmin paditësit.

Me 14 maj 2013, komisionit i KEK-ut, kishte dal në vendin e ngjarjes në shtëpinë e paditësit Rama, dhe kishte konstatuar se dëmi material ishte shkaktuar për shkak të shkëputjes së përçuesit në LP 110 KV.

Në këto rrethana, i njëjti me anë të kësaj padie, po kërkon që të detyrohen të paditurat që t’ia kompensojnë dëmin material që kishte pësuar në pajisjet shtëpiake, në shumën që e cakton ekspertiza financiare.