Paditësi kërkon dëmshpërblim për të mbjellat me misër, pasi pretendon t’i jenë dëmtuar nga bagëtitë e bashkëfshatarit

Pejë
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Mars 14, 2019

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca përgatitore ku Imer Krasniqi, e ka paditur Haxhi Krasniqin, nga i cili ka kërkuar 2500 euro dëmshpërblim, për shkak se pretendon që bagëtitë e të paditurit ia kanë dëmtuar të mbjellat me misër.

Në seancën e mbajtur të enjten, i autorizuari i paditësit Imer Krasniqi, avokati Xhafer Maloku, ka deklaruar se e mbështet padinë dhe kërkesën e saj, si dhe i propozoi gjykatës që të dëgjohen si dëshmitarë Skender Krasniqi dhe Ahmet Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka kërkuar nga gjykata gjithashtu që ta caktojë një ekspertë të bujqësisë, i cili do ta caktojë saktësisht vlerën e dëmit të shkaktuar në tokën bujqësore.

“Propozojmë që lidhur me caktimin e lartësisë së dëmit, përkatësisht vlerës së dëmit, të angazhohet ekspert, i cili do të vlerësonte se sa në të vërtetë paditësit i është shkaktuar dëm nga ana e të paditurit”, ka thënë Maloku.

Një propozim të tillë për caktimin e ekspertit bujqësor, e ka kundërshtuar i autorizuari i të paditurit Haxhi Kransiqi, avokati Faruk Binakaj, pasi që sipas tij, kërkesëpadia është e pabazë.

Gjyqtari i çështjes, Fatmir Baloku me aktvendim e ka aprovuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve, kurse rreth propozimit për caktimin e ekspertit bujqësor, ai ka thënë që do të vendoset pas dëgjimit të dëshmitarëve.

Seanca e radhës është caktuar më 16 prill 2019, nga ora 13:00, ku do të dëgjohen Skender Krasniqi dhe Ahmet Gashi.

Sipas padisë së ushtruar më 8 maj 2017, Imer Krasniqi, ka kërkuar nga i padituri Haxhi Krasniqi që në emër të dëmit të shkaktuar nga bagëtitë e tij, në tokën bujqësore – arën e mbjell me misër.

Për këtë, ai përmes padisë ka kërkuar kompensim në shumën prej 2500 euro.

Në padi thuhet që nga fundi i muajit nëntor 2016, deri me 12 shkurt 2017, i padituri Haxhi Krasniqi rregullisht i ka kullotur bagëtitë e tij në arën e paditësit, të cilën e ka pasur të mbjell me misër.

Sipas padisë, i padituri me këto veprime, paditësit i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 2500 euro. /BetimipërDrejtësi