Paditësi kërkon caktimin e masës së sigurisë Postës së Kosovës për përzgjedhjen e kryeshefit Ekzekutiv dhe kthim në vendin e punës

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca ku propozuesi Sh.A. po kërkon caktimin e masës së sigurisë që t’i ndalohet Postës së Kosovës Sh.A që të vazhdojë procedurën e konkursit publik për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën kryeshefit Ekzekutiv të Postës së Kosovës.

Në këtë seancë ishin prezent përfaqësuesi i propozuesit të masës së sigurisë, avokati Avni Leci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Leci ka thënë se në shqyrtimin gjyqësor të datës 15 korrik 2021 kundërpropozuesi i masës së sigurisë Posta e Kosovës, është obliguar që në afat prej tri ditësh t’ia dorëzoj gjykatës dhe përfaqësuesit të propozuesit, provën lidhur me masën e sigurisë, shterjen e ekzekutimit të vendimit të marrë nga Inspektoriati të Punës, për të cilën ka pohuar se e posedon.

Ndërsa sa i përket kësaj, përfaqësuesi i kundërpropozuesit të masës së sigurisë, Ragip Hoxha, ka thënë se sa i përket pretendimeve të lartcekura nga avokati Leci, në seancën e 15 korrikut 2021 i ka dërguar gjykatës në kopje të mjaftueshme.

Ndërkaq gjykatësi Nexhat Qallapeku, gjatë seancës provën e lartcekur ia ka dorëzuar avokatit Leci.

Tutje përfaqësuesi Hoxha ka thënë se e paditura ende nuk ka hapur konkurs për pozitën kryeshefit Ekzekutiv, për shkak se në ndërmarrjen publike kanë ekzistuar Borde të përkohëshme deri tani që është zgjedhur Bordi i rregullt me mandat tre vjeçar, kompetent për hapjen e konkursit të rregullt.

Lidhur me këtë avokati Leci, ka thënë se provat e dorëzuara gjatë seancës, nuk janë relevante për këtë procedurë dhe fakti se është zgjedhur Bordi i rregullt me kompetencë për hapjen e konkursit e bënë edhe më të nevojshëm caktimin e masës së sigurisë.

Mirëpo lidhur me këtë Hoxha tha se i kundërshton pretendimet e avoaktit Leci pasi që sipas tij, hapja e konkursit publik, nuk ia cenon kurrfarë të drejte propozuesit A.

Andaj Hoxha ka shtuar se lidhur me këtë e kundërshton tërësisht propozimin për caktimin e masës së sigurisë nga ana e propozuesit A.

Për fund avokati Leci tha se nuk qëndrojmë pretendimet e përfaqësuesit Hoxha pasi që propozuesi A, nuk ka të drejtë të aplikoj në atë konkurs nëse do të hapet, pasi që është e ndaluar për të punësuarit të cilëve iu ka ndërprerë kontrata të aplikojnë në këtë pozitë sipas nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Andaj Leci ka theksuar se qëndrojnë  pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë.

Gjykatësi Qallapeku ka konstatuar se seanca dëgjimore ka përfunduar.

Ndryshe, më 2 shkurt 2021 Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka aprovuar si të bazuar ankesën e propozuesit të sigurisë A, duke e anuluar aktvendimin e 2 nëntorit 2020 duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe vendosje.

Me aktvendimin e 2 nëntorit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e propozuesit A për caktimin e masës së sigurisë ndaj P.K , më të cilin ka kërkuar ndalimin e shpalljes së çdo konkursi publik për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën të cilën e ka pasur propozuesi tek kundërpropozuesi P.K.

Ndërkaq, ndaj këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, propozuesi i masës A. ka ushtruar ankesë.

Sipas padisë së 19 majit 2020, Sh.A po kërkon anulimin e vendimit për ndërprerje të kontratës dhe kthimin në vendin e punës si dhe kompensimin e pagave, nga Posta e Kosovës Sh.A.

Sipas padisë më 25 tetor 2019 paditësi ka lidhur marrëdhënie pune me të paditurën përmes kontratës me kohë të caktuar në pozitën e kryeshefit Ekzekutiv, me kohëzgjatje për periudhën kohore duke filluar nga 10 tetori 2019, deri më datën 9 tetor 2022, ashtu që lidhja e kësaj kontrate është bërë në bazë të vendimit të Bordit të drejtorëve të të paditurës.

Po ashtu sipas padisë, e paditura përmes Bordit të përkohshëm të drejtorëve të emëruar nga aksionari i të njëjtës – Qeveria në detyrë e Kosovës, pas shkarkimit të kundërligjshëm të Bordit paraprak për shkaqe politike, që më pas më 10 prill 2020 e ka ftuar paditësin për ndryshimin e agjendës dhe e ka njoftuar paditësin se do t’i ndërpritet kontrata e punës me të paditurën duke mos iu dhënë as e drejta e ankesës ndaj këtij vendimi.

Mbi këtë bazë paditësi A. po kërkon që t’i aprovohet padia dhe kërkesëpadia dhe të anulohet si i paligjshëm vendimi i Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Postes së Kosovës Sh.A i datës 10 prill 2020, për ndërprerjen e kontratës së punës.

Ndërkaq, edhe të detyrohet e paditura Posta e Kosovës Sh.A që paditësin ta kthejë në vendin e mëparshëm të punës, e po ashtu edhe t’ia kompensojë pagat, tatimin në pagë-burim, kontributet pensionale dhe benificioanet tjera sipas shumës që do përcaktohet në bazë të marrjes së provës me eskpertizë financiare, si dhe t’ia paguaj dëmin jomaterial për shkak të largimit nga vendi i punës.

Po ashtu ka kërkuar edhe që të gjitha këto t’ia paguajë sipas kamatës 8%, duke filluar nga dita e marrjes së vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës nga ana e të paditurës e deri në pagesën definitive dhe po ashtu t’ia paguaj të gjitha shpenzimet procedurale.

Ndërsa më 24 qershor 2020, paditësi A. ka bërë propozimin për caktimin e masës së sigurisë ndaj Postës së Kosovës Sh.A, që t’i ndalohet të njëjtës që të vazhdojë procedurën e konkursit publik për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën e punës si – kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës, si dhe shpalljen e çdo konkursi publik, deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër nga ana e gjykatës.

Në anën tjetër kundërpropozuesi i masës së sigurisë, P.K, në përgjigjen ndaj propozimit për caktimin e masës së sigurisë, ku ka njoftuar gjykatën se sipas shkresës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) të 18 qershorit 2020, ka anuluar konkursin e shpallur më 29 maj 2020, për pozitën e kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit në PK./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë