Paditësi kërkon anulimin e vendimit të MSH-së, me të cilin i ishte refuzuar kompensimi për trajtimin mjekësor jashtë vendit

Gjykata7
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 2, 2019

Prishtinë – Me pretendimin se Ministria e Shëndetësisë kishte bërë lëshime procedurale, kur i kishte refuzuar kërkesën për kompensimin e trajtimit mjekësor jashtë vendit, paditësi Sh.Ç, në seancën e së martës, kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin e këtij vendimi.

Në vendimin e atakuar thuhet se paditësi nuk i kishte respektuar dispozitat e Udhëzimit Administrativ, andaj Ministria e Shëndetësisë kishte anuluar shumën në lartësi prej 4.000 euro, të cilën e kishte ndarë për trajtimin e paditësit, pasi që i njëjti kishte filluar trajtimin mjekësor, papërfunduar të gjitha procedurat administrative.

Në seancën e së martës, ku nuk prezantoi askush nga e paditura, ndonëse ftesa ishte dërguar me rregull më 10 qershor 2019, prezantoi vetëm përfaqësuesi i paditësit, Bedri Çitaku.

Çitaku tha se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke kërkuar nga Gjykata që ta obligojë të paditurën që t’ia pranojë të drejtën në kompensimin e shpenzimeve të bëra me rastin e intervenimit kirurgjik në shumën e lejuar nga vet e paditura, prej 4.000 euro.

Ai po ashtu deklaroi se paditësi është përfitues i skemave pensionale dhe sociale, dhe se procedura administrative për trajtimin mjekësor, kishte zgjatur ashtu që paditësit i është nevojitur intervenim urgjent për shkak të përkeqësimit të gjendjes.

“Paditësit në ndërkohë prej momentit te alokimit te mjeteve deri te nënshkrimi apo lejimi i tyre ka ardh deri te përkeqësimi i gjendjes shëndetësore, ashtu që i është kërku intervenimi urgjent”, tha ai.

E pas administrimit të provave, përfaqësuesi i paditësit dha fjalën e tij përfundimtare, ku deklaroi se Ministria e Shëndetësisë, me rastin e marrjes së vendimit për refuzimin e njohjes së të drejtës së kompensimit, ka bërë lëshime procedurale.

Andaj mbi këto pretendime, ai kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin, paditësit i ishte refuzuar ankesa për njohjen e të drejtës së kompensimit për trajtim mjekësor.

Ndryshe, sipas padisë, paditësi më 19 prill 2017, kishte kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin i ishte refuzuar ankesa për njohjen e të drejtës së kompensimit për trajtim mjekësor.

Sipas padisë, paditësi më 16 shkurt 2012, kishte paraqitur kërkesën për trajtim mjekësor, në kuadër të  programit për trajtim jashtë vendit, i ofruar nga Ministria e Shëndetësisë, kërkesë kjo e cila më  7 mars 2012, ishte aprovuar nga Bordi Ekzekutiv, në shumë prej 4.000 euro.

Por, në padi thuhet se për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, dhe rrezikut të humbjes së syrit, ishte dashur të kryej intervenimin kirurgjik, para marrjes së pagesës nga ana e Ministrisë.

E lidhur me këtë kishte kërkuar kompensimin e mjeteve, por që sipas padisë, Ministria kishte anuluar mjetet, pasi që paditësi kishte kryer intervenimin para përfundimit të procedurës.

Kjo me arsyetimin se paditësi nuk i kishte respektuar dispozitat e Udhëzimit Administrativ, ashtu që i paditësi kishte filluar trajtimin mjekësor papërfunduar të gjitha procedurat administrative.

Andaj, me pretendimin se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, dhe rrezikut për humbjen e shikimit, paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë, dhe njohjen e të drejtës për kompensimin e mjeteve. /BetimipërDrejtësi