Paditësi kërkon anulimin e vendimit të KPMSHCK-së, thotë se padrejtësisht i është ndërprerë marrëdhënia e punës

Gjykata
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Paditësi Pjetër Marku, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), me të cilin i ishte refuzuar ankesa për kthim në vendin e tij të punës.

Paditësi pretendon se në vitin 2014, padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin, Komuna e Klinës ia kishte shkëputur atij kontratën, në bazë të së cilës kishte pozitën e mirëmbajtësit të higjienës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.

Sipas padisë, për këtë ai kishte ushtruar ankesë në KPMSHCK, por që ajo i ishte refuzuar si e pasafatshme.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, në vitin 2016, kishte aprovuar padinë e paditësit dhe çështjen e kishte kthyer në rishqyrtim tek organi administrativ.

Madje, një vendim i tillë i gjykatës së shkallës së parë është aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, me ç ‘rast e kishte obliguar organin administrativ të rishqyrtojë ankesën e Markut, lidhur me largimin e tij nga puna.

Organi Administrativ, më 23 janar 2017, kishte refuzuar sërish ankesën e Markut dhe kishte lënën në fuqi vendimin e atakuar.

Në seancën të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesi i paditësit avokati Bedri Gashi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë së ushtruar dhe se kërkon nga Gjykata anulimin e vendimit të atakuar.

Ndërkaq, përfaqësuesja e paditëses, Sabile Avdiu deklaroi se mbetet pranë vendimit të KPMSHCK-së, duke shtuar se ankesa e ankuesit është e pasafatshme.

Gjatë kësaj seance, gjykata e obligoi të paditurën që brenda afatit prej 30 ditësh, të dorëzojë përgjigjen në padi për vendimin e atakuar me padi, pasi që ajo e kishte dorëzuar përgjigjen në padi për vendimin e vitit 2014 dhe jo të atij të vitit 2017.

Ndryshe, palët për seancën e radhës do të ftohen përmes ftesave të rregullta.

Sipas padisë së ushtruar më 13 shkurt 2017, paditësi Pjetër Marku kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), me të cilin i ishte refuzuar ankesa për kthimin në vendin e tij të punës.

Paditësi pretendon se në vitin 2014, padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin, Komuna e Klinës ia kishte shkëputur atij kontratën, në bazë të së cilës kishte pozitën e mirëmbajtësit të higjienës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.

Sipas padisë, për këtë ai kishte ushtruar ankesë në KPMSHCK, por që ajo i ishte refuzuar si e pasafatshme. /BetimipërDrejtësi