Paditësi kërkon anulimin e vendimit të KPMSHC-së pasi që iu pamundësua ushtrimi i detyrës së drejtorit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor
Raporton: Elsa KOLLQAKU
Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore në rastin ku paditësi Kadri Begolli, ka paditur Këshillim e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC), lidhur me vendimin e lëshuar nga ky organ.
Me këtë vendim paditësit i është refuzuar si e pabazuar ankesa kundër vendimit për caktimin e ushtruesit të detyrës të Drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën përgatitorë, paditësi Begolli deklaroi se organi i punësimit ka bërë lëshime në procedura duke përzgjedhur kandidatin i cili nuk i plotëson kushtet e parapara me ligj për KGJK-në dhe KPK-në.
“Fillimisht paditësi nuk e konteston të drejtën e të dy këshillave që të bëjnë përzgjedhjen dhe marrjen e vendimit të caktuar, kjo dispozitë është dispozitë speciale por që në procedurë duhet të zbatohet Ligji mbi Shërbimin Civil të Kosovës”, shtoi Begolli.
Përfaqësuesi i palës së interesit- Këshilli Gjyqësorë i Kosovës, Driton Bërnjashi, deklaroi se e konteston si të pabazuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit, duke kërkuar që vendimi i atakuar të mbetet në fuqi.
“Kërkojmë nga gjykatë që të mbetet në fuqi vendimi i KGJK-së dhe KPK-së, sepse zgjedhja e ushtruesit të detyrës së drejtorit ka qenë në harmoni dhe është bërë në bazë të ligjit”, tha Bërnjashi.
Tutje, gjykatësja Vjollca Limani, duke konsideruar të rëndësishme për vendosjen e çështjes dhe duke pasur parasysh provat e siguruara nga paditësi, se nga ana e KGJK-së është mbajtur mbledhja më 30 maj 2018, ku kanë vendosur për çështjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit të ZPD-së, obligoi përfaqësuesin e KGJK-së, në afat prej 8 ditësh të sigurojë si provë gjykatës procesverbalin e mbledhjes.
Seanca e radhës për këtë çështje do të caktohet pasi që gjykata të ketë në dispozicion provën e tillë.
Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishte prezentë pala e paditur, KPMSHC. edhe pse sipas gjykatëses Limani, e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.
Sipas padisë së ushtruar më 9 tetor 2019, Kadri Begolli po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se kolegji për shqyrtimin e ankesave për vendosjen e kësaj çështje ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës të parashtruara nga palët dhe ka vërtetuar se ankesa e paditësit është e pabazuar.
Në padi thuhet se organi i shkallës së dytë nuk ka sqaruar fare nëse ka shqyrtuar dhe vlerësuar mbarëvajtjen e procedurës së përzgjedhjes, a ishte zhvilluar procedura konform dispozitave ligjore, me cilat prova i ka konstatuar faktet vendimtare dhe mbi cilat dispozita ligjore është mbështetur për të ardhur se në konstatim se procedura, tek organi i punësimit është zhvilluar konform ligjit. /BetimipërDrejtësi