Kërkon anulimin e vendimit të Doganës dhe kthimin e mjeteve në vlerën mbi 10 mijë euro për moslejimin e lojërave të fatit

Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Gusht 24, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku subjekti juridik Atlantis SH.P.K po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës dhe kthimin e mjeteve në shumën prej 10,489.60 euro.

Gjatë seancës së mbajtur të martën, përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, avokati Gëzim Berisha deklaroi se mbetet në tërësi si në thënie të kërkesëpadisë dhe se paditësi fillimisht i ka shfrytëzuar mjetet e rregulla juridike tek e paditura, por kjo e fundit në mënyrë të kundërligjshme e ka refuzuar ankesën.

“Paditësi ka shfrytëzuar mjetet e rregulla juridike, fillimisht kërkesën dhe ankesën për kthimin e mjeteve, por e paditura në mënyrë të kundërligjshme e ka refuzuar ankesën e paditësit duke mos dhënë arsye mbi faktet vendimtare që kanë kushtëzuar refuzimin e kërkesës për kthimin e mjeteve”, tha Gashi.

Përfaqësuesi i  autorizuar i palës paditëse, Kushtrim Kastrati deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi me të cilën e paditura e kundërshton padinë e paditësit si të pabazuar.

“Konsiderojmë që e paditura i ka trajtuar të gjitha pretendimet e ngritura nga ana e paditësit në procedurë administrative dhe duke i shfrytëzuar të gjitha ka nxjerrë vendimin e saj me të cilin e ka refuzuar kërkesën e tani paditësit të ushtruar ndaj aktvendimit të zyrës së brendshme doganore Interevropa”, tha Kastrati.

Tutje, gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit, Gëzim Berisha i ka propozuar gjykatës që të aprovohet në tërësi padia dhe kërkesëpadia e paditësit.

Ndërsa përfaqësuesi i palës paditëse i propozoi gjykatës që padia dhe kërkesëpadia të refuzohen në tërësi si të pabazuara.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 19 gusht 2019, Atlantis SH.P.K e ka paditur Doganën e Kosovës lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar  si e pabazuar.

Siç thuhet në padi, Atlantis SH.P.K po kërkon anulimin e vendimit dhe kthimin e mjeteve në shumën prej 10,489.60 euro, pasi malli lëndorë është kthyer në vendin e origjinës për shkak të ndalimit të ushtrimit të lojërave të fatit.

Paditësi pretendon se ky vendim është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Sipas vendimit të Doganës së Kosovës, paditësit i është refuzuar si e pabazuar ankesa, me arsyetimin se zyra doganore ka vepruar konform ligjit.

Tutje, në arsyetimin e vendimit thuhet se në kohën e zhdoganimit të mallit, pagesa e detyrimeve doganore është bërë konform dispozitave ligjore në fuqi, andaj ky kthim i mjeteve nuk mund të bëhet bazuar në nenin 227 të Kodit Doganor dhe të Akcizave.