Paditësi kërkon anulimin e vendimit të ATK-së, thotë se kompania e tij ka falimentuar si rezultat i ngarkesës tatimore

Foto gjykata (1)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shkurt 11, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi Xhelal Neziri, pronar i kompanisë “Aero-com”, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte aprovuar pjesërisht ankesën e subjektit “Aero-Com”, të cilën ankesë, ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë kontrollit tatimor nga ATK-ja, ishin analizuar librat dhe regjistrimet e tatimpaguesit, faturat e blerjeve, shitjet si dhe llogaritë bankare.

Aty thuhet se kontrolli i kryer nga ATK-ja, kishte përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila kishte rrjedhur si pasojë e disa parregullsive, dhe atë, mungesa e numrave fiskal të tatimpaguesit, si dhe fatura të shitjeve të padeklaruara, për çka, të njëjtat nuk ishin pranuar si të vlefshme dhe ishin kalkuluar si qarkullim shtesë.

Tutje, në vendim thuhet se gjatë analizimit të dokumentacionit ishte vërtetuar se disa fatura të shitjes, të kalkuluara si qarkullim shtesë, ishin trajtuar gabimisht, meqë të njëjtat kishin të deklaruara nga tatimpaguesi dhe kishin qenë të regjistruara në libër të shitjes.

Në fjalën përfundimtare, paditësi Xhelal Neziri, gjykatës i ka kërkuar që të bëj aprovimin e padisë dhe kërkesëpadisë, të bëjë anulimin e vendimit kontestues, si dhe lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek e paditura, ATK-ja.

Po ashtu, Neziri ka thënë se si rezultat i ngarkesës tatimore, kompania e tij ka falimentuar, çka ka pamundësuar aktivitetin ekonomik.

“Nga ana e të paditurës jam ngarkuar me tatim shtesë sipas raportit të kontrollit, ku pasi e kam pranuar këtë raport kam kërkuar nga e njëjta që të bëj ri kontroll, mirëpo ka refuzuar kërkesën time. E paditura, në vendimin kontestues por edhe në raportin e kontrollit, nuk i ka pranuar faturat e rregullta të blerjes, dhe si rezultat i ngarkesës tatimore, ka ardhur deri tek falimentim”, ka thënë Neziri.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ka marr pjesë përfaqësuesi i ATK-së, por pasi që askush nuk ka prezantuar në gjykatore, është konsideruar e lexuar vetëm përgjigja në padi.

Gjykatësi Rexhep Gashi, ka thënë se ky kontest administrativ ka përfunduar, ndërsa lidhur me vendimin palët do të njoftohen me kohë.

Sipas padisë së ushtruar më 25 maj 2017, kompania “Aero-Com”, me pronar Xhelal Neziri, ka paditur ATK-në, me pretendimet për shkelje esenciale të Procedurës Administrative, konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.

Siç thuhet në padi, shkelja esenciale e Procedurës Administrative konsiston në faktin se pas kontrollit nga e paditura, e njëjta nuk kishte dhënë asnjë arsyetim lidhur me vërejtjet për mosnjohjen e faturave kontestuese të blerjes, për shkak të mungesës së numrit fiskal të shitësit, mos regjistrimit në kartela financiare të bizneseve, si dhe lidhur me dyfishimin e shitjeve, me pretekstin që të njëjtat nuk janë regjistruar dhe deklaruar.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi nuk kishte kontestuar faktin që kishte pranuar fatura të shitësve pa numër fiskal, por ka konsideruar se mosnjohja e tyre për qëllime tatimore është penalizim i rëndë për kompaninë. /Betimipërdrejtësi