Paditësi dhe kompania e sigurimeve pajtohen për shumën e kompensimit për aksidentin në trafik

foto (8)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Qershor 10, 2019

Viti – Me marrëveshje gjyqësore ka përfunduar procedura civile, në rastin ku paditësi Shaqir Xhaferi, ka kërkuar nga kompania e sigurimeve “Prisig”, kompensimin e dëmit pas aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në qershor të vitit 2018, në rrugën Viti-Gjilan.

Kjo marrëveshje gjyqësore, është arritur në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Minir Arifi dhe përfaqësuesja e të paditurës, Ardiana Bejtullahu, janë pajtuar që ky proces të përfundojë me pajtim gjyqësor, me qëllim që të mos krijojnë shpenzime të tjera, dhe meqenëse baza juridike nuk ishte kontestuese.

Sipas kësaj marrëveshjeje, kompania e sigurimeve “Prisig”, obligohet që paditësit Shaqir Xhaferi, t’ia paguajë kompensimin e dëmit material në shumën prej 380 euro, si dhe shpenzimet procedurale në shumë të përgjithshme prej 199 euro.

Pas deklarimit të palëve ndërgjygjëse, këtë marrëveshje e ka aprovuar gjykatësi i rastit Raif Fazliu.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 10 gusht 2018, paditësi Shaqir Xhaferi, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, që ta obligojë të paditurën, kompaninë e sigurimeve “Prisig”, që t’i kompensojë dëmin material të shkaktuar me rastin e aksidentit.

Në padi thuhet se më 13 qershor 2018, në rrugën Viti-Gjilan, përkatësisht afër xhamisë, në qytetin e Vitisë, është shkaktuar aksident komunikacioni rrugor ku ishin përfshirë dy automjete.

Sipas padisë, Shaqir Xhaferi ka pësuar dëm material në veturën e tij të markës “Golf 2”, nga ana e majtë në pjesën e prapme e deri te pjesa e përparme afër dritave nga vetura e  markës “BMW”, të cilën e drejtonte Blerand Ramadani.

Në padi thuhet se automjeti që e ka shkaktuar këtë aksident, ka qenë i siguruar nga tani e paditura dhe se asaj i takon ta bëjë kompensimin e të dëmtuarit.

Andaj, përmes padisë, kishte kërkuar nga gjykata që ta aprovojë në tërësi kërkesëpadinë, dhe ta obligojë të paditurën “Prisig” që t’i kompensojë dëmin material të shkaktuar me rastin e aksidentit të shkaktuar. /Betimipërdrejtësi