Paditen Universiteti i Prishtinës dhe KPMSHCK për mos realizimin e kompensimit prej  30%  për personelin administrativ

jj (1)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 19, 2021

Prishtinë –  Është mbajtur seanca përgatitore në rastin ku anëtaret e personelit administrativ të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po kërkojnë anulimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KSHPMSHCK) dhe kompensimin nga Universiteti i Prishtinës.

KPMSHCK përmes vendimeve kishte hedhur si të palejuara ankesat e tani 18 paditësve me të cilat ata kishin kërkuar t’u njihet kompensimi prej 30% sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky vendim po kontestohet në konfliktin administrativ i cili është iniciuar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Sheremet Ademi gjatë seancës së kaluar kishte bërë zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv ashtu që përpos KPMSHCK si pale e paditur te jetë edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Ekonomik.

Pas kësaj seanca ishte ndërprerë në mënyrë që palës së paditur, Universiteti të Prishtinës t’i ipet mundësi për përgjigje në padi.

Sipas njoftimit nga gjykatësi i rastit Hajriz Hoti, e paditura nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës as për seancën e sotme, madje e njëjta as nuk ka dhënë përgjigje në padi.

Bazuar në dispozitat ligjore gjykatësi Hoti, mori aktvendim me të cilin obligoi të paditurën që brenda 10 ditësh gjykatës t’i jep përgjigje në padi lidhur me pretendimet e paditësve dhe t’ ia bashkëngjis të gjitha provat.

Kjo seancë u shty për datën 19 shkurt 2021, ora 10:30.

Ndryshe, paditësit përmes padisë së ushtruar më 18 shtator 2018 kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimeve të KPMSHCK, me të cilat vendime ishin hedhur poshtë si të palejuara ankesat e tyre lidhur me kompensimin prej 30% sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

KPMSHCK, në vitin 2018 kishte hedhur poshtë si të palejuara ankesat e paditësve, për çka ata i janë drejtuar gjykatës për realizimin e të drejtave të tyre. /BetimipërDrejtësi