Padia për kompensim dëmi, ortopedi thotë se paditësja pësoi lëndime të lehta trupore kur ishte goditur nga vetura

75557462_406846406859658_448937211870576640_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Nëntor 18, 2019

 

Ferizaj – Eksperti i ortopedisë, Basri Ibrahimi, ka deklaruar se paditësja Lumturije Nallbani, ka pësuar lëndime të lehta trupore gjatë aksidentit në komunikacion, që kishte ndodhur në qershor të vitit 2019.

Një deklaratë të tillë, eksperti Ibrahimi, e ka dhënë në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në çështjen ku paditësja Lumturije Nallbani po kërkon kompensim dëmi nga kompania e sigurimeve “Elsig”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dhënies së mendimit të tij, eksperti Ibrahimi ka deklaruar se paditësja, gjatë aksidentit kishte pasur shtypje në trup, por të cilat nuk i kishin rrezikuar jetën, sepse sipas tij, rikuperimi i indeve të dëmtuara bëhet për një kohë të shkurtër.

“Ndërsa, sa i përket vragave në fytyrë të cilat janë rreth 4 centimetra, konsiderohet shëmtim i shkallës së ulët sepse të njëjtat janë të përkohshme pasi që mund të eliminohen me ndërhyrje kozmetike”, ka thënë eksperti Ibrahimi.

Përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Gazmend Rexhepi, deklaroi se nuk kishte vërejtje për ekspertizën, gjithashtu edhe përfaqësuesi i të paditurës, Ismet Bajraktari, tha se edhe nga seancat e kaluara ishte deklaruar se nuk kishte vërejtje dhe as pyetje sa i përket ekspertizës.

Gjyqtarja e çështjes, Mirlinda Bytyqi Rexhepi, seancën e radhës e caktoi të mbahet më 12 dhjetor 2019, nga ora 11:00.

Sipas padisë së ushtruar më 25 korrik 2019, thuhet se më 17 qershor 2019, përderisa paditësja ishte duke lëvizur në cilësinë e këmbësores, goditet nga vetura që siguruar te tani e paditura “Elsig”.

Sipas padisë, nga ky aksident, paditësja kishte pësuar lëndime të mëdha, për të cilat ishin dashur shumë trajtime mjekësore për tu shëruar, e që paditëses u janë krijuar shpenzime të shumta.

Andaj përmes kësaj padie, ajo kërkon nga gjykata që të detyrojë të paditurën “Elsig”, t’i kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë e cila do të vendoset pas nxjerrjes së ekspertizës. /BetimipërDrejtësi